“Dialogun e udhëheq kryeministri Hoti, s’ka datë për vizita të Grenellit e Lajçakut në Kosovë” - Gazeta Express
string(86) "dialogun-e-udheheq-kryeministri-hoti-ska-date-per-vizita-te-grenell-e-lajcak-ne-kosove"

“Dialogun e udhëheq kryeministri Hoti, s’ka datë për vizita të Grenellit e Lajçakut në Kosovë”

Besnik Veliu

09/06/2020 15:01

Përmendja e rolit të presidentit të Kosovës në programin e Qeverisë Hoti, në pjesën ku flitet për dialogun me Serbinë, ka nxitur shumë debat dhe interpretime të ndryshme rreth asaj se kush do ta përfaqësojë Kosovën në tryezën e bisedimeve me Serbinë. Pavarësisht kësaj, zyra e kryeministrit Hoti thotë se është Qeveria ajo që udhëheq procesin dhe shton se nuk ka nevojë për sajesa të ndryshme, meqenëse një gjë e tillë është shumë e qartë. Përveç tjerash, zyra e tij thotë se Hoti është në kontakt të vazhdueshëm me emisarin e Donald Trumpit, Richard Grenell, por se ende s’ka ndonjë datë për ndonjë vizitë të mundshme të emisarit amerikan e as të Mirsolav Lajçakut të BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se do të jetë shef i dialogut përballë Serbisë. Zyra e Kryeministrit në një përgjigje për Gazetën Express thotë se s’ka nevojë që të krijohen sajesa për delegim kompetencash te presidenti, pasi, sipas saj, shefi i Qeverisë s’mund t’ia delegojë dikujt tjetër kompetencat që ia jep Kushtetuta.

Lexo Edhe:

“Kryeministri Hoti e ka sqaruar tashmë se ai, edhe po të dojë, nuk mund t’ia delegojë kompetencat e tij kushtetuese askujt tjetër, as presidentit të vendit. Kompetencat e secilit janë shumë të qarta dhe nuk ka pse të sajohet ndonjë dilemë për këtë. Dialogun do ta udhëheqë kryeministri Hoti, kjo është më se e qartë”, thuhet në përgjigje.

Në përgjigjen e kabinetit të kryeministrit theksohet se në procesin e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë, Kosova duhet të jetë unike dhe të flasë me një zë. Po ashtu, në përgjigje pohohet se edhe presidenti Thaçi, kryekuvendarja Osmani dhe krerët e partive politike janë të mirëpritur të kontribuojnë në proces.

“Por, edhe Presidenti, edhe Kryeparlamentarja, edhe liderët e subjekteve politike janë të mirëpritur të japin ndihmesën e tyre në këtë proces. Kosova do të flasë me një zë në këtë proces, sepse, përtej interesave politike të ditës, kur është fjala për çështje të interesit nacional, Kosova ka qëndrim unik”, thuhet tutje.

Pas instalimit të institucioneve të reja në Prishtinë në krye me Avdullah Hotin, ka pasur reagime të menjëhershme nga Washingtoni dhe Brukseli, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre të menjëhershme për të punuar me qeverinë e re sa i përket dialogut.

Richard Grenell ka thënë se mezi pret të punojë me qeverinë e re, megjithatë ende s’dihet nëse emisari i Trumpit do ta realizojë ndonjë vizitë në Prishtinë.

Zyra e kryeministrit thotë se Hoti është në kontakt të vazhdueshëm me Grenellin, derisa thotë se s’kanë ndonjë datë për ndonjë vizitë të mundshme të emisarit amerikan në Prishtinë.

“Po, që nga marrja e detyrës, kryeministri Hoti ka qenë vazhdimisht në kontakt me Përfaqësuesin Special Presidencial të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadorin Richard Grenell. Sa i përket pyetjes për vizitën e tij të mundshme, ende nuk kemi ndonjë datë të caktuar”, thuhet në përgjigjen për Express.

Ndërkohë nuk e di as datën se kur Lajçak do ta vizitojë Prishtinën dhe se konfirmimi i saj është punë e Bashkimit Evropian dhe zyrës së Miroslav Lajçakut si Përfaqësues Special për dialogun.

“Është e vërtetë se Emisari i BE-së për dialogun, Lajçak ka paralajmëruar vizitë në Prishtinë dhe Beograd. Por, kur e si, sigurisht që duhet ta konfirmojë Zyra e tij”, ka përfunduar Zyra e Kryeministrit.

Për vizitën e Lajçakut në Prishtinë dje për Express ka folur edhe Bashkimi Evropian. Peter Stano, pa specifikuar ndonjë datë, ka thënë se Lajçaku në ditët në vijim do të vizitojë rajonin për të përgatitur terrenin për rinisjen e dialogut.

Ndërkohë, ende nuk dihet se kur potencialisht mund të ndërmerret ndonjë iniciativë konkrete nga Përfaqësuesi Special i SHBA-së, Richard Grenell, i cili tashmë gjendet në Washington, pasi që ka hequr dorë nga pozita e ambasadorit amerikan në Berlin.

Qeveria e Republikës së Kosovës në programin qeverisës ka listuar si prioritet edhe dialogun me Serbinë. Aty thuhet se Qeveria drejton dialogun  dhe se i përgjigjet Kuvendit, derisa thotë se presidenti përfaqëson Kosovën vetëm në bazë të kompetencave që ia jep Kushtetuta.

“Para fillimit të dialogut për marrëveshje përfundimtare me Serbinë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, do të përgatitet platforma për dialog, ku specifikohen objektivat që duhet të arrihen me marrëveshjen përfundimtare, çështjet për të cilat duhet të përfshihen dhe raportimi dhe transparenca gjatë procesit të arritjes së kësaj marrëveshjeje. Palë negociuese në dialog do të jetë Qeveria, e cila i përgjigjet Kuvendit, ndërkaq Presidenti e përfaqëson vendin në bazë të kompetencave kushtetuese”, thuhet në pikën 7.3 të programit.

Se Qeveria është përfaqësuese e Kosovës në tryezë me Serbinë e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. /GazetaExpress/