Dhoma e Përmbaruesve: Firma dhe policia dështuan në kryerjen e detyrës


Gazeta Express
14 Mars 2019 21:51

Konflikti që ndodhi 3 ditë më parën mes qytetarëve, policisë dhe përmbarimit në Tiranë ka sjellë reagimin e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privat.

Përmes një njoftimi për shtyp, Dhoma e Përmbaruesve është distancuar nga dhuna e ndodhur tre ditë më parë duke bërë përgjegjës policinë e shtetit dhe përmbaruesin privat që ndodhej në zonë për të zbatuar vendimin e gjykatës.

Dhoma thekson se personat që po shkelmonin dyert e pronës që pritej të sekuestrohej dhe të largonte banorët ishte një skenë e turpshme që erdhi nga njerëz që Dhoma thotë se nuk ishin përmbarues.

“Më 11 mars, përmbaruesi dështoi në zbatimin e një vendimi gjykate, por më shumë se kaq, dështoi në zbatimin e detyrave të tij. Sepse, përmbaruesi ka detyrë ligjore të marrë masa për ekzekutimin e një vendimi në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kjo nuk ndodhi, kur mediat transmetuan pamjet e rënda për një shoqëri të qytetëruar, ku dinjiteti njerëzor dergjej në rrugë dhe lot fëmijësh shoqëruan live ekzekutimin e një vendimi gjykate.

Më 11 mars, Policia e Shtetit dështoi në misionin dhe detyrën për mbështetjen e përmbaruesit në një proces ekzekutimi.Sepse, Policia e Shtetit ka për detyrë të mbrojë jetën dhe dinjitetin e përmbaruesit përgjatë ushtrimit të detyrës, dhe jo të favorizojë ndonjërën nga palët në ekzekutim. Mediat transmetuan pamje të shëmtuara, teksa persona që nuk ishin përmbarues gjyqësorë dhe nuk kanë asnjë lidhje me përmbarimin, shqelmonin dyert e ndërtesës për ekzekutimin e një vendimi gjykate. Kjo, në prani të dhjetëra forcave policore.”, thuhet në deklaratën e dhomës.

Deklarata e plotë:

Lidhur me ngjarjen e ndodhur në ekzekutimin e një vendimi gjyqësor pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” (Tiranë), ngjarje e përcjellë dhe e komentuar gjerësisht në media, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë mban këtë qëndrim:

Dhoma Kombëtare, si organi përfaqësues i përmbaruesve gjyqësorë privatë, kërkon të sigurojë opinionin publik se kjo ngjarje, me protagonist vetëm një përmbarues, nuk identifikon në asnjë element trupën prej 150 përmbaruesish gjyqësorë, anëtarë të saj. Kjo ngjarje nuk është “fytyra” e përmbarimit shqiptar. Kjo ngjarje mbetet një rast i izoluar, nga i cili distancohet plotësisht çdo përmbarues i ndershëm shqiptar.

Së pari, Dhoma Kombëtare i bën thirrje sensibilizuese gjithë opinionit publik, që ta njohin, ta përkrahin dhe ta konsiderojnë një përmbarues gjyqësor si aleat të publikut dhe si të vetmin funksionar të ngarkuar nga shteti dhe ligji për zbatimin e vendimeve të gjykatave apo titujve ekzekutivë. Kjo është një thirrje për të gjithë qytetarët që kanë vendosur të jetojnë brenda rregullave të një shoqërie demokratike, të cilët kanë nevojë për drejtësinë e dhënë po aq sa për drejtësinë e realizuar. Dhe, drejtësia e realizuar ose vendimi gjyqësor i ekzekutuar bëhen vetëm nga përmbaruesi. Është mision ligjor vetëm i këtij funksionari publik.

Ndaj, dhe çdo qytetar, përfshirë institucionet shtetërore, duhet:

të respektojnë figurën dhe detyrën e përmbaruesit të ndershëm dhe profesionist;

të mos e ndalojnë në asnjë rast kryerjen e detyrës së tij;

të mos e pengojnë asnjëherë, madje ta ndihmojnë në përmbushjen e kësaj detyre!

Në asnjë rast, Dhoma Kombëtare nuk ka përkrahur dhe nuk do të mbrojë interesat e një përmbaruesi, për sa kohë ato bien në kundërshtim me parimet e ushtrimit të këtij profesioni apo nuk i shërbejnë interesit publik.

Në çdo rast, Dhoma Kombëtare do të mbrojë me forcë përmbaruesin që ushtron profesionin e tij, në përputhje me ligjet shqiptare dhe parimet e çdo shoqërie demokratike.

Së dyti, ngjarja dhe pamjet e datës 11 mars, kur ekzekutimi i një vendimi gjykate u kthye në të kundërtën e tij, ekspozuan qartë defektet e funksionimit të sistemit tonë demokratik, ku përfshihet sistemi i drejtësisë, shërbimet publike në nivel qendror dhe vendor, bashkë me qytetarin si përgjegjës në ushtrimin dhe kërkimin e të drejtave të tij.

Më 11 mars, përmbaruesi dështoi në zbatimin e një vendimi gjykate, por më shumë se kaq, dështoi në zbatimin e detyrave të tij. Sepse, përmbaruesi ka detyrë ligjore të marrë masa për ekzekutimin e një vendimi në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kjo nuk ndodhi, kur mediat transmetuan pamjet e rënda për një shoqëri të qytetëruar, ku dinjiteti njerëzor dergjej në rrugë dhe lot fëmijësh shoqëruan live ekzekutimin e një vendimi gjykate. Ky nuk është dhe nuk mund të jetë përmbaruesi që i shërben komunitetit në një funksion publik. Ky nuk është përmbaruesi që promovon dhe mbron vlerat e të gjithë anëtarëve të Dhomës Kombëtare. Lidhur me këtë ngjarje, Dhoma do t`i kërkojë ministres së Drejtësisë të vlerësojë sjelljet e kryera nga përmbaruesi i rastit konkret, në përputhje me dispozitat ligjore, parimet etike të ushtrimit të profesionit dhe respektimin e detyrave të përcaktuara për kryerjen e një ekzekutimi përmbarimor.

Më 11 mars, Policia e Shtetit dështoi në misionin dhe detyrën për mbështetjen e përmbaruesit në një proces ekzekutimi.Sepse, Policia e Shtetit ka për detyrë të mbrojë jetën dhe dinjitetin e përmbaruesit përgjatë ushtrimit të detyrës, dhe jo të favorizojë ndonjërën nga palët në ekzekutim. Mediat transmetuan pamje të shëmtuara, teksa persona që nuk ishin përmbarues gjyqësorë dhe nuk kanë asnjë lidhje me përmbarimin, shqelmonin dyert e ndërtesës për ekzekutimin e një vendimi gjykate. Kjo, në prani të dhjetëra forcave policore. Ekzekutimi i një vendimi gjykate nuk përmbushet me “shqelmat dhe levat” e kreditorit të interesuar apo ndihmësve të tij, as nga përmbaruesi që i bën sehir dhunës, aq më tepër në prani dhe me ndihmën e Policisë së Shtetit. Lidhur me këtë ngjarje, Dhoma do t`i kërkojë ministrit të Brendshëm të vlerësojë menjëherë sjelljet e strukturave të policisë që përgatitën, organizuan dhe ofruan sigurinë fizike të përmbaruesit gjyqësor privat dhe personave që e shoqëronin atë ditën e kryerjes së veprimit përmbarimor.

Strukturat për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në nivel qendror dhe vendor dështuan në detyrën e tyre për marrjen e masave që fëmijët e pranishëm në vendngjarje të mos pësonin dhunën e pashembullt psikologjike për ta. Sepse, ligji nr. 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” detyronte punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve, pranë njësisë vendore përkatëse, të merrnin masa emergjente të mbrojtjes dhe largimit të fëmijëve nga skenat e dhunës psikologjike, por edhe fizike, të patolerueshme për fëmijë që jetojnë në një vend me sistem demokratik. Mediat transmetuan pamje më shumë se të rënda, kur fëmijët e prindërve që kundërshtonin ekzekutimin e përmbarimit, ndesheshin me dëshpërim dhe lot me policët apo civilët e pranishëm, në prani të prindërve të tyre.

Prindërit e fëmijëve të dhunuar psikologjikisht më datën 11 mars dështuan në ushtrimin e përgjegjësive prindërore. Sepse, këta prindër, përtej së drejtës për mbrojtjen e pronës, kishin detyrimin parësor t’u ofronin fëmijëve të tyre siguri emocionale dhe fizike, edhe pse siguria materiale është, gjithashtu, shumë e nevojshme për ta. Mediat transmetuan pamje të rënda, kur prindërit që kundërshtonin ekzekutimin e përmbarimit, kishin marrë pranë edhe fëmijët e tyre. Këta fëmijë u gjendën para skenave të papranueshme të abuzimit psikologjik dhe prindërit e tyre treguan në këtë rast një pakujdesi të rëndë në ushtrimin e përgjegjësisë prindërore. Dhuna e shumëfishë që pësuan fëmijët e kësaj ngjarje, do të ndikojë në mënyrë të dëmshme në ecurinë e edukimit dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm social dhe psikologjik, pavarësisht nga fitimi apo humbjes së të drejtave të pronësisë së prindërve të tyre.

Së fundmi, ngjarja e datës 11 mars mori një vëmendje të gjerë publike, falë transmetimit dhe komentimit të plotë mediatik. Ekspozimi i ngjarjes dhe aktorëve të saj sjell nevojën e realizimit të një analize të thellë, por edhe të një debati publik, ku të përfshihen të gjitha strukturat e qeverisjes qendrore dhe vendore, sistemit të drejtësisë, deri te qytetari më i thjeshtë që jeton brenda një komuniteti demokratik.

Kjo nuk ishte një ngjarje që prek vetëm përmbarimin, por prek gjithë shoqërinë dhe sistemin demokratik që kemi zgjedhur të jetojmë. Drejtësia u “shqelmua” nga të gjithë protagonistët e kërkimit të saj.

Ndërtesa që mbrojtën banorët e saj, duhet parë si simbol i një problemi publik. Mure të djegura, mure të ndërtuara pa leje dhe mure, ku shkruhet dhe kërkohet drejtësi janë një alarm për funksionimin e sistemit tonë demokratik.

Dhoma Kombëtare u bën thirrje organeve dhe institucioneve të shtetit, por edhe gjithë opinionit publik, që përveç komenteve dhe konstatimeve rreth ngjarjes, të analizojnë me përgjegjësi rolin e gjithsecilit për të ardhmen, me qëllim që drejtësia mos të lexohet më në mure ndërtesash dhe të ekzekutohet me “shkelma” përmbaruesish, por të rivendoset në salla të pastra gjykatash apo zyra, ku ofrohet vetëm shërbim i ndershëm publik.

Dhoma Kombëtare do të mbetet aleat i publikut dhe në çdo rast, mirëpret reagimin e tij!/Express

Te fundit


Kthehu lart