Devollët e dirigjojnë shtetin për ta zgjatur monopolin e homologimit, çfarë i kishte shkruar Apostolova Pal Lekajt


Gazeta Express
25 Qershor 2019 11:36

Shqetësimet lidhur me vazhdimin e monopolit për kompaninë ‘EuroLab’ QAK shpk, përmes Udhëzimit Administrativ të nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Pal Lekaj, shefja e Zyrës së BE-së, i kishte ngritur qysh në korrikun e vitit të kaluar përmes një letre zyrtare. Në atë letër Apostolova me shumë shqetësim i kishte treguar Pal Lekajt, se kishin gjetur se mbajtësit aktualë të monopolit të homologimit, ishin përfshirë edhe në hartimin e Udhëzimit Administrativ No.02/2018 për homologimin. Ajo i kishte kujtuar Lekajt që duhet shmangur çfarëdo konflikti të interesit dhe se një gjë e tillë është edhe në kundërshtim të plotë me politikat e Bashkimit Evropian.

Gazeta Express

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, javën që shkoi ka marrë pjesë në një mbledhje të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ku ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të bëjnë presion mbi Qeverinë për të anuluar Udhëzimin Administrativ që është nxjerrë vitin e kaluar nga Ministria e Infrastrukturës, e që, sipas saj, mundëson vazhdimin e monopolit të homologimit në Kosovë për kompaninë “EuroLab” QAK shpk.

Por,  Apostolova lidhur me këtë problematikë i kishte shkruar zyrtarisht ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, në korrikun e vitit 2018, ku i kishte shprehur shqetësimet e saj për udhëzimin administrativ No/02/2018, për Determinimin dhe Përcaktimin e Kushteve për Homologim.

Në letrën e saj thuhej se Zyra e BE-së kishte gjetur se Udhëzimi Administrativ i nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës, është në kundërshtim me politikat e BE-së dhe ligjet e Kosovës, saktësisht prokurimin publik dhe Ligjin për Konkurrencë dhe disa ligje të tjera.

Zyra e BE-së theksonte se Udhëzimi Administrativ i miratuar do të zgjaste edhe më tej monopolin dhjetëvjeçar në fushën e homologimit, të cilën e mban aktualisht kompania ‘EuroLab’ QAK shpk, pronë e Shkëlqim Devollit.

Përveç kësaj, Apostolova kishte thënë se kanë kuptuar që madje pronarët e kompanisë së homologimit janë konsultuar dhe edhe janë përfshirë në hartimin e Udhëzimit Administrativ për Determinimin dhe Përcaktimin e Kushteve për Homologim No.02/2018.

“Ne e kemi kuptuar që mbajtësit aktualë të monopolit, janë konsultuar dhe madje edhe involvuar në draftimin e Udhëzimit Administrativ”, thuhet në letrën e siguruar nga Gazeta Express, që Apostolova ia kishte dërguar Pal Lekajt në vitin 2018.

Lidhur me këtë, Apostolova ia kishte kujtuar Lekajt që është e një rëndësie të jashtëzakonshme që të shmanget konflikti i interesit. Shefja e Zyrës së BE-së gjithashtu kishte thënë se një Udhëzim i tillë Administrativ është edhe në kundërshtim me rregullat e konkurrimit, specifikisht Nenit 4 të Marrëveshjes së Bashkimit Evropian (TEU) dhe nenit 101 të TFEU.

Sipas saj, pala në fjalë, kompania ‘EuroLab’ QAK shpk, nuk duhet të përfshihet në asnjë mënyrë në hartim të Udhëzimit Administrativ, pasi që është në kundërshtim edhe me politikat e Marrëveshjes për Stabilizim-Asocimit të Bashkimit Evropian.

“Kjo situatë mund të sjellë rezultat, i cili është në kundërshtim me rregullat e konkurrencës të theksuara në Nenin 5 të Marrëveshjes së Bashkimit Evropian (TEU) dhe Nenit 101 të TFEU, pasi që pala në fjalë nuk duhet të përfshihet në proces në asnjë mënyrë”, thuhet ndër të tjera në letër.

Kompania “EuroLab” QAK shpk që nga viti 2009 ka monopol në fushën e homologimit të veturave në Republikën e Kosovës. Kontrata e tyre me shtetin do të skadojë më 1 korrik 2019, megjithatë në një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës së Pal Lekajt, para një viti, kësaj kompanie do t’i mundësohet monopoli edhe për disa vite të tjera.

Mbetet të shihet nëse Qeveria do të dorëzohet para presionit të BE-së, apo do të trashë monopolin duke ia vazhduar kompanisë së Shkëlqim Devollit licencën për homologim edhe për disa vite të tjera. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart