Detaje të padëgjuara: Si e kishin organizuar dhe ekzekutuar AKI dhe Policia planin për dëbimin e gylenistëve


Arlena Krivenjeva
15 Maj 2019 17:20

Gjashtë shtetas turq të Kosovës që u rrëmbyen e u deportuan ditën e 29 marsit, provuan në çdo mënyrë që t’i kundërshtonin autoritetet e vendit. Disa kishin provuan të iknin nga polica, disa rezistuan, e dikush edhe u deportua gabimisht. Gazeta Express, duke u bazuar në të gjeturat e raportit të Komisionit Hetimor sjell në detaje mënyrën se si shkoi operacioni.

Driton Gashi ishte në krye të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës kur institucionet e shtetit marsin e vitit të kaluar kishin bërë një akt kriminal dhe të turpshëm duke dëbuar në Turqi ithtarë të Gylenit. 

Shtetasit turq që njihen si gylenistë me të zbritur në Stamboll janë burgosur, por operacioni famëkeq që trazoi Kosovën vazhdon të jetë ende temë aktuale jo vetëm në Kosovë.

Gashi që tani është rehatuar në Zyrën e Presidentit javë më parë është munduar të gjarpërojë duke e  imituar Hashim Thaçin para  Komisionit Hetimor për gylenistët, por si duket kishte luajtuar rol kyç në planifikimin e operacionit për dëbimin e turqve.

Në ndihmë i kishte dalë edhe Shpend Maxhuni  i cili atë kohë udhëhiqte Policinë e Kosovës.

Sic dihet për shkak të këtij operacioni Maxhuni ishte shkarkuar nga Policia por ishte bërë njeriu kryesor në AKI falë Presidentit Hashim Thaçi.

Por, si ishte organizuar operacioni nga AKI dhe Policia për dëbimin e gylenistëve.

Gazeta Express sot ka publikuar të plotë raportin e komisionit hetimor ku jepen hollësi rreth gjithë asaj që kishte ndodhur me turqit fatkeq.

AKI i kishte siguruar zyrtarët e Policisë një ditë para deportimit të gjashtë shtetasve turq se çdo detaj për arrestim e deportim të gjashtë shtetasve turq nga Kosova ishte përgjegjësi e tyre dhe se ishte përgatitur në detaje.

Një takim që ndodhi një ditë para deportimit, siguroi disa zyrtarë të shtetit se AKI i kishte kryer të gjitha përgatitjet për transportin.

AKI madje kishte kërkuar, pavarësisht se besonin se personat ishin të rrezikshëm për sigurinë kombëtare, sa më pak njësi policore të përfshira.

“Së pari, “sipas vlerësimit paraprak të AKI-së” gjashtë shtetasit turq nuk ishin “të kategorisë së personave të rrezikshëm”, e prandaj, nuk kishte nevojë për angazhimin e shumë njësive.. Arsyeja e dytë për mos përfshirjen e njësive të shumta në operacion ishte edhe natyra konfidenciale e rastit”, shkruhet në raport.

Për këtë u caktuan, gjashtë ekipe policore që do të kërkonin personat në fjalë e do t’i arrestonin për t’i dërguar në aeroport.

Në ditën e 29 marsit, operacioni kishte filluar në orët e hershme të mëngjesit. Rreth orës 06:30 u mbajt edhe një takim para fillimit të arrestimit, si dhe u nxorën gjashtë urdhra për largim me forcë nga Republika e Kosovës.

AKI kishte siguruar policinë se shtetasit turq do të gjendeshin në lokacione të ndryshme. Një në rrethinën e Lipjanit dhe Prishtinës, afër Rezidencës Marigona dhe dy prej tyre në Gjakovë.

Rreth orës 7:00, ekipet policore u shpërndanë nëpër lokacionet e planifikuara.

Një grup i policisë ishte i pozicionuar në lokacionet afër Rezidencës  “Marigona”. AKI kishte njoftuar këtë grup se njëri Yusuf Karabina po shkonte në drejtim të tyre me automjet.

Ata sipas vendimit e ndalën automjetin ku ishte Karabina me gruan dhe djalin dhe kryen arrestimin.

Zyrtarët policorë që e kryen arrestimin, thanë se pasi që i kërkuan Karabinës që të dilte nga automjeti, ai kishte tentuar që të rezistonte dhe të rindizte automjetin për t’u larguar nga skena, ndërkaq, gruaja dhe djali i tij vazhdimisht sipas policisë tentuan që t’i pengonin, e për të kryer aksionin e qetësuar situatën ata përdorën edhe forcën.

Versioni që kanë dhënë policia nuk ngjason fare me atë të familjarëve. Para komisionit, gruaja e të deportuarit Karabina tha se ajo e djali i saj 15-vjecar nuk u përpoqën që t’i pengonin por vetëm deshën që të incizonin ngjarjen me telefon.

Ajo kishte deklaruar edhe se një nga zyrtarët policor e kapi për fyti djalin e saj 15-vjecar duke e nxjerrë ashtu  nga makina.

Gruaja dhe djali i Karabinës mbetën në vend të ngjarjes, derisa, polica u nis me të arrestuarin në drejtim të Prishtinës.

Për këtë u njoftua Mustafa Erdem, edhe ky pjesë e listës së personave që kërkoheshin për arrestim. Ai shkoi te DShAM-ja për t’u interesuar për Karabinën e atë e arrestoi i njëjti ekip që e arrestoi edhe Karabinën.  Të dy shtetasit turq u dërguan në hapësirat e DMH-së.

Arrestimi i tretë ndodhi rreth orës 09:07 minuta. Ekipi i tretë mori një telefonatë nga një zyrtar i AKI-së, që e informoi se Osman Karakaya ishte në shtëpi e i udhëzoi që të shkonin ta arrestonin.

 Kur arritën policët tek shtëpia, e gjetën gruan e. Karakaya, e pastaj vetë Karakaya. Pas verifikimit të identitetit të tij, e njoftuan për revokimin e lejeqëndrimit, si dhe e arrestuan.

Ndërkohë, një nga grupet e policisë kishte arritur në Gjakovë rreth orës 08:00.

 Rreth së njëjtës orë, njëri prej zyrtarëve të AKI-së e njoftoi ekipin, përmes telefonit, që tre personat e kërkuar kishin hyrë në kolegjin Mehmet Akif në Gjakovë, ku ishin të punësuar si mësimdhënës. Zyrtari i AKI-së e urdhëroi ekipin menjëherë të hynte brenda për t’i arrestuar.

 Mirëpo, vetëm njëri prej tre shtetasve turq kishte me vete dokument identifikues. Ai ishte Cihan Ozkan, ndërsa dy personat e tjerë të ndaluar,. Kahraman Demirez dhe Hasan Huseyin Demir, nuk kishin me vete dokumentet e tyre.

Te personi i tretë u shfaqën probleme me identifikimin për shkak se, në materialet e përgatitura prej AKI-së lidhur me personin në fjalë, kishte dy foto të personave të ndryshëm.  Siç shpjegoi drejtori i DMH-së, Sylejmani, në dëshminë e tij: “Ishin dy fotografitë, dy copë, një e turbullt, një pak më e kthjelltë edhe ajo më dukej edhe mua edhe atij zyrtarit që e udhëhiqte atë grupin e Gjakovës se këtu nuk është një person i njëjtë, ky është tjetër, ky është tjetër.

Ndërsa,  togeri Hamit Rukiqi që ka udhëhequr operacionin, ka dëshmuar se, kur e vërejti këtë problem, ai kërkoi sqarim prej zyrtarit të AKI-së dhe u udhëzua që, secilin prej personave në dy fotot që të haset më së pari, ta arrestonte: “jemi ndal edhe deshëm me u sqarua si me veprua ne në këtë mënyrë, si të veprojmë cili është personi adekuat që ju, nuk ju japi sqarime, mandati jonë është i tillë edhe në momentin e parë cila fotografi të takohen cila fotografi të haset prej këtyre dy fytyrave ju e keni obligim ta ndaloni edhe menjëherë, menjëherë . . . menjëherë drejt e në Aeroportin e Prishtinës”

Personi i ndaluar nuk ishte personi për të cilin ishte nxjerrë vendim për revokimin e leje qëndrimit, as urdhër për largim me forcë. Në vend që ta arrestonin atë person, Hasan Huseyin Demir, zyrtarët policorë e arrestuan Hasan Huseyin Gunakan.

Në rastin e disa prej shtetasve turq, zyrtarët policorë nuk i njoftuan ata për të drejtat e tyre, përkatësisht të drejtën për të pasur një mbrojtës dhe për të kontaktuar një anëtar të familjes. Kishte tri shkaqe kryesore për këtë mos njoftim. AKI kishte kërkuar nga policia që të mos lejonin gjashtë shtetas që të komunikonin me persona tjerë.

Zyrtarët policorë as nuk arritën që t’i njoftonin të arrestuarit me të drejtat e tyre, pasi që disa prej shtetasve turq nuk e  kuptonin gjuhën shqipe.

Diku pas orës 9:00, pasi u kryen të gjitha arrestimet, u vendos që të gjithë personat e ndaluar dërgoheshin në Aeroportin Ndërkombëtar i Prishtinës për t’u dëbuar.

Shefi i Njësisë së Imigracionit tek aeroporti, në kuadër të Policisë së Kosovës, Fazli Fazliu, kishte vendosur që të kaloheshin shtetasit turq nëpër zonën “VIP” të aeroportit dhe që të zhvillohej një “kalim i lehtë i kufirit”.

Rreth së njëjtës kohë kur gjashtë shtetasit turq u nisën për në aeroport, aeroplani i autoriteteve turke, me të cilin ata do të dërgoheshin në Turqi, mbërriti në pistë.

Pas mbërritjes së aeroplanit prej Turqisë, shtetasit turq gjithashtu filluan të mbërrinin në aeroport me automjetet e Policisë. Janë disa prova që konfirmojnë se, gjatë procesit të kalimit nëpër aeroport, Hasan Huseyin Gunakan, i cili ishte identifikuar gabimisht si Hasan Huseyin Demir, tentoi t’i vinte në dijeni zyrtarët e përfshirë në operacion, se ai nuk ishte personi për të cilin ishin nxjerrë vendim për revokimin e leje qëndrimit dhe urdhër për largim me forcë.

Këtë Gunakan kishte provuar që t’ua thoshte në gjuhën angleze por që zyrtarët e AKI-së, kishte insistuar që patjetër ai person duhej të deportohej. Sipas tij, ishte bërë një gabim teknik në emër.

Përpara se të përcilleshin tek aeroplani, gjashtë shtetasit turq iu nënshtruan një procesi të shkurtuar të kalimit kufitar. Disa prej shtetasve turq nuk kishin dokumente identifikuese me vete. Gjithashtu, përveç dokumenteve identifikuese, jo të gjithë kishin as dokumente valide të udhëtimit. Në mungesë të dokumenteve valide të udhëtimit, vërehet se vula katrore e daljes nga Aeroporti i Prishtinës është vendosur në faqen e dytë të secilit urdhër për largim me forcë, kopje të të cilëve janë në posedim të Komisionit.

Një tjetër shkurtim i procedurave ishte se zyrtarët policorë nuk u futën të dhënat e gjashtë shtetasve turq në Sistemin e Menaxhimit Kufitar për hyrje dhe dalje.

Pasi u krye ky proces i shkurtuar i kalimit kufitar, policët zyrtarë të aeroportit i dërguan gjashtë shtetasit turq, një nga një, tek aeroplani i autoriteteve turke. Aeroplani u nis për në Turqi rreth orës 10:50./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart