Detaje nga vdekja e tmerrshme e 11-vjeçarit që u gjet pranë bërllokut


Gazeta Express
12 Korrik 2019 7:30

Për më shumë se dy ditë familja nuk pati asnjë informacion për fatin e tij. E, 12-vjeçari K.I., u gjet i vdekur pasditen e së enjtes nga një punëtor i pastrimit në Fushë-Kosovë. Vdekja e tij po cilësohet e dyshimtë nga prokuroria, derisa familjarët kanë kërkuar nga organet e rendit të hedhin dritë mbi këtë rast, raporton Gazeta Express.

Në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Fushë-Kosovë, afër një bërlloku në këtë rrugë, të enjten qytetarët u alarmuan kur panë trupin e pajetë të një personi.

Atë e pa, pasditen e djeshme, një punëtor i pastrimit, që menjëherë lajmëroi policinë.

“Masi e kam hjek krejt bërllogun, një jargon është kanë aty, kur e kam ngre jarganin ju kanë shplu kamt edhe ma s’e kam prekë. E kena thirrë policinë, tash janë tu u marrë këta me to”, ka deklaruar ky punëtor.

Familja, në anën tjetër, ka deklaruar se djali i mitur kishte dy ditë që ishte larguar nga shtëpia, e nuk kishte ditur asgjë për fatin e tij. Ajo ka kërkuar nga organet e hetuesisë që t’i zbardhin arsyet që kanë çuar deri te vdekja.

“Sot e dyta ditë, nuk u kanë në shpi. Si të del prej shpisë nuk vjen deri në 12 natës. Kërkojmë nga mjekësia ligjore që të zbardhet rasti menjëherë pse ka vdekur, a është i mbytur apo ka ndërruar jetë vetë”, kanë shtuar familjarët.

Policia e prokuroria që dolën menjëherë në vendin e ngjarjes kanë deklaruar se te i mituri ka pasur shenja të dhunës, e se nuk dihet se për sa kohë qëndroi në atë vend.

“Është vdekje e dyshimtë, si duket ka shenja dhune, mirëpo ende nuk dihet pa e dhanë versionin mjekësia ligjore”, deklaroi prokuroria.

Në anën tjetër, Policia për Rajonin e Prishtinës thotë se është njoftuar nga qytetarët për një trup të shtrirë afër një ndërtese dhe pas daljes në vendin e ngjarjes nga ekipet policore dhe mjekësore është konstatuar vdekja e viktimës mashkull, i mitur.

‘Dje rreth orës 17:30 kemi pranuar informatën se në afërsi të një ndërtese, në rrugën Xhemajl Mustafa në Fushë-Kosovë, ndodhet një person i shtrirë. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka dalë policia dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull (i mitur)”, ka thënë Ahmeti. /GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart