Detaje nga takimi Thaçi-Grenell - Gazeta Express
string(31) "detaje-nga-takimi-thaci-grenell"

Detaje nga takimi Thaçi-Grenell

Gazeta Express

23/01/2020 7:21

Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell ndodhet për vizitë në Prishtinë, ku mbrëmë u takua me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, ndërsa të premten në mëngjes pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi ka falënderuar ambasadorin Grenell për vizitën e tij në Kosovë, teksa është shprehur i bindur se nën lidershipin e presidentin Trump, do të arrihet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë

Lexo Edhe:

 “Dëshiroj të falënderoj ambasadorin Grenell që sonte ka ardhur në Prishtinë, për vizitën që po na e bën. Në anën tjetër dëshiroj të falënderoj shumë marrëveshjen e re që kemi arritur nën lidershipin e Grenell dhe udhëheqjen e fuqishme të presidentit, Donald Trump, atë të linjës ajrore Prishtinë-Beograd. Mendoj që është diçka e re, atë që nuk kanë mundur të tjerët ta bëjnë është duke e bërë ambasadori Grenell dhe ambasada e SHBA-së. Roli i SHBA-së në këtë proces është i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm. Kam besim të plotë së nën lidershipin e Trumpit do të arrijmë marrëveshjen finale me Serbinë”, ka thënë Thaçi.

Ai tha se roli amerikan është i pazëvendësueshëm në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe “ne do të vazhdojmë të jemi partner besnik i SHBA-së në jetësimin e interesave strategjike në Ballkanin Perëndimor”.

Ndërkaq, emisari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, ka dhënë një mesazh të qartë sa i përket taksës ndaj produkteve serbe, të vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Ai theksoi se me rëndësi për SHBA-në është arritja e progresit në rajon, në rastin konkret në Kosovë dhe Serbi, në aspektin ekonomik.

 “Presidenti Trump ka qenë i fokusuar për të zgjidhur problemet, jo duke shikuar mbrapa. Ne duam të bëjmë progres në rajon, Kosovë, Serbi, në aspektin ekonomik. Të rinjtë duan punë”, ka thënë Grenell,.

“’Njerëzit e Kosovës meritojnë të kenë vende të reja të punës dhe të ardhme të ndritshme. Çfarë dua të bëjë unë që të merremi me të gjitha këto çështje të bllokuara që kanë ndikim ekonomik të zgjidhen. Duam të shtyjmë të dy qeveritë dhe liderët në Kosovë dhe Serbi – dhe tu themi që të shikojnë njerëzit, filloni me hapjen e vendeve të punës’… ‘Për këtë jam këtu dhe nuk të kyçem në debatin politik, sepse kjo na lë mbrapa’”, theksoi ai.

Sipas tij, komuniteti i bizneseve në Amerikë dhe në Evropë duan të vijnë të investojnë në rajon, por kjo nuk mund të ndodhë nëse ka konflikte.

Ndërkaq, presidenti serb Vuçiq, ditë më parë nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, kishte thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme që t’i dëgjojnë kërkesat dhe problemet e Beogradit lidhur me Kosovën.

Ndryshe, Grenell ka ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me kompaninë gjermane “Lufthansa“ për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.

SHBA e ka cilësuar këtë si historike./Telegrafi