Detaje nga aksioni në veri: Arrestohen dy persona të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit


Gentiana Hasani
16 Tetor 2019 7:30

Policia e Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, ka zbarkuar në pjesën veriore të Mitrovicës. E gjithë kjo me një qëllim: për arrestimin e disa personave të cilët ndërlidhen me rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq. Për këtë rast janë arrestuar dy persona, njëri nga ta, zyrtar serb i Policisë së Kosovës, ndërkohë një tjetër është në kërkim.

Lajmin për Express e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Baki Kelani i tha gazetës se personi i arrestuar është me inicialet R.B., ndërkohë tek i arrestuari i dytë policia ka gjetur edhe një armë.

“Mund të konfirmojmë se sot në orët e hershme të mëngjesit, në veri të Mitrovicës Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes së z. O. Ivanovic. Ky operacion policor është realizuar në bazë të urdhëresës për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore, Departamenti Special, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi te dyshuar m/k/s zyrtar policor (R. B.) i përfshirë në urdhër kontroll, përderisa i dyshuari tjetër po ashtu pjesëtar policor m/k/s mbetet ne kërkim”, ka thënë Kelani për Express.

“Gjatë operacionit policor është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar tek i cili është gjetur një armë. Në këtë operacion janë gjetur dhe konfiskuar edhe dy armë të tjera dhe municion. Për detaje tjera do te njoftoheni ne vijim”, kanë sqaruar tutje për Express zyrtarë të Policisë së Kosovës.

E në lidhje me vrasjen e politikanit serb deri tani janë arrestuar 6 persona, dy prej të cilëve janë liruar. Ndërsa, shteti ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për Milan Radojiçiqin, i cili po fshihet në Serbi.

Oliver Ivanoviq, ish-ministër dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës ka udhëhequr SDP-në, ndërsa u vra më 16 janar të vitit 2018. /Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart