Dëshmi të reja nga sulmit terrorist: Krejt çka posedon shteti i Kosovës deri më tani - Gazeta Express
string(83) "deshmi-te-reja-nga-sulmit-terrorist-krejt-cka-posedon-shteti-i-kosoves-deri-me-tani"

Dëshmi të reja nga sulmit terrorist: Krejt çka posedon shteti i Kosovës deri më tani

Lajme

Gazeta Express

02/10/2023 7:14

Gjatë ditës së djeshme është bërë publike dje një tjetër video nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, kur mëngjesin e 24 shtatorit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në pamje shihen pjesëtarët e grupit terrorist serbë teksa largohen nga Manastiri. Ajo që vihet re është se katër serbët ikin me vrap ndërsa lënë të plagosur një serb tjetër.

Lexo Edhe:

Ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, por nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të ndihmuar kolegun e tyre i cili shtrihet në tokë dhe përpiqet të largohet.

Por pas kësaj, Ministri i Punëve të Brendshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha kanë prezantuar prova të reja të grupit terrorist që kreu sulmin më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Hoxha ka prezantuar 5 video të cilat janë nxjerrë nga dronët që ka konfiskuar PK-ja ditë më parë, e ku shihen grupi terrorist duke kryer ushtrime në pronën e Milan Radoiçit.

Më poshtë ua sjellim shpjegimin e plotë të drejtorit të PK-së, Gazmend Hoxha lidhur me videot e prezantuara:

Video numër 1: janë incizimet e datës 26 gusht ku paraqiten imazhe nga Kopaniku ku shihen resortet e hotel “Grey” që është pronë e Milan Radoiçiqit.

Këto pamje janë nxjerri nga dronët që policia i ka sekuestruar pas ballafaqimit dhe ikjes së grupit terrorist nga Banjska.

Video numër 2: incizimet i përkasin datës së 2 shtator po ashtu janë pamje në Kopanik afër hapësirave të pronës së Milan Radoiçiqit. Këto imazhe paraqesin testimet e veshjeve të cilat janë me qëllim të mbulimit të temperaturës së trupit respektivisht kamerave termike që posedojnë dronët. Tentativë për të përdorur pajisje të veçantë që mund të mbulojnë snajperistët.

Video numër 3: janë pamjet e datës 20 shtator, dhe këto janë ushtrimet taktike operative për sulme. Këta ndahen në disa grupe në drejtime të ndryshme, janë të pajisur me armë të gjata, dhe pajisje ushtarake dhe mjete motorike të blinduara sipas pamjeve shihet që grupi ka simuluar sulmin dhe plagosjen e anëtareve të grupit terrorist, shkruan Telegrafi.

Në pamje shihet se grupi terrorist ka pasur në përdorim dy automjete të blinduara të cilat janë në posedim të forcave ushtarake të Serbisë. Këto blinda janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.

Në këto pamje ka edhe të shtëna me armë të gjata, të cilat gjithashtu janë konfiskuar.

Video numër 4: Në këtë video e cila është po ashtu e datës 20 shtator, paraqiten pamje ku grupi ka has në rezistencë dhe po sulmohet dhe ku simulohet mbështetja me mjete të blinduara.

Nga dronët, ekspertët tanë kanë arritur të nxjerrin edhe datat dhe lokacionet ku janë kryer ushtrimet.

Video numër 5: Në këto pamje po ashtu të datës 20 shtator janë vazhdim i pamjeve paraprake ku vërehen se automjetet e blinduara ka ndaluar, vërehet se ka luftime mes grupeve të stimuluara. Si pjesë e këtij ushtrimi ushtarak vërehen edhe automjetet e blinduara dhe dyshohet se njëri nga automjetet e konfiskuara nga Policia e Kosovës është përdorur në këtë ushtrim.

“Elemente tjera që ndërlidhin sektorin e sigurisë së Serbisë, forcave të sigurisë së Serbisë me këtë grup terrorist janë edhe armatimet e sekuestruara nga Policia e Kosovës”, tha Hoxha.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka thënë se aksioni po vazhdon në veri.

Ai ka shprehur dyshime se ka më shumë të vrarë se sa dihen zyrtarisht.

“Aksioni po vazhdon, në momentin kur do të gjenden trupat tjerë, apo në momentin kur do të kemi dëshmi patjetër që do të njoftojmë”, ka deklaruar Sveçla në konferencën e përbashkët për media me drejtorin e Policisë së Kosovës.

Sipas tij, vet presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se janë katër të vrarë.

“Edhe vet presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka folur për katër të vrarë. Informatat nga inteligjenca flasin për më shumë, por çdo moment që kemi dëshmi, do t’i publikojmë”, ka deklaruar Sveçla.

Kujtojmë deri më tani në janë ekzaminuar trupat e tre terroristëve që ishin vrarë gjatë sulmit ndaj policisë së Kosovës ku mbeti i vdekur edhe rreshteri Afrim Bunjaku.

Sveçla tha se mbi 90 persona morën pjesë në sulmin kundër Policisë së Kosovës.

“Serbia u mundua vazhdimisht të thotë se nuk ka të bëjë asgjë më këtë sulm, por faktet që do të publikohen dëshmojnë që përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi u kryen në bazën e trajnimeve ushtarake afër Jagodinës si dhe në Kopaunik. Këto pamje u siguruan nga dronët e grupit terrorist të cilit i kemi konfiskuar”, tha Sveçla të dielën.

I menjëhershëm ka qenë reagimi I Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se sulmet e serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit u kryen nën planifikimin e plotë të shtetit të Serbisë.

Tutje Kurti ka shtuar se, terroristët ishin trajnuar në Pasuljanske Livade, që është një nga bazat kryesore të ushtrisë serb.

“Terroristët që kryen sulmet janë trajnuar në Pasuljanske Livade, një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe. 4 ditë para sulmeve. Stërvitje të tjera u zhvilluan në bazën e Kopaonikut. Sulmet gëzonin mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb”, ka shkruar Kurti në rrjetin social X.

Kurti gjithashtu ka deklaruar se në shtatë ditët e fundit Kosova është përballur me dhunë, kërcënime dhe glorifikim të akteve të tilla, teksa ka shtuar se e vlerëson mbështetjen e aleatëve “në luftën kolektive për demokraci”.

Edhe Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media, ku përveç transkriptimit të fjalimeve të Drejtorit Gazmend Hoxha e ministrit Sveçla, aty u sqaruan në detaje videot, që u shpalosën para publikut gjatë kësaj të diele, nga ministri e drejtori.

Sqarimet e videove, armatimit dhe sulmit janë si në vijim:

Video 1.

Incizimet e datës 26 gusht 2023 ku paraqiten imazhe nga Kopauniku-Serbi, ku shihen resortet dhe hotel Grey që është prone e Millan Radojqiq.

Video 2.

Incizimet i përkasin datës 2 shtator 2023 po ashtu ne Kopaunik afër hapësirave pronë e Milan Radoiqiq, këto imazhe paraqesin testimin e veshjeve të cilat janë kundër kamerave termike.

Pamjet tjera paraqesin ushtrimet finale të grupit terrorist në poligonin e ushtrisë serbe i njohur si Pasuljanske Livade.

Video 3.

Sipas pamjeve të datës 20 Shtator 2023 duket se ushtrimet taktike operative për sulme ndahen në disa grupe në drejtime të ndryshme të pajisur me armë të gjata dhe pajisje ushtarake. Këtu shihen mjetet motorike, ku sipas pamjeve shihet se grupi ka simuluar sulmin dhe simulohen edhe plagosjet e anëtareve të grupit terrorist si dhe dhënia e ndihmës se parë.

Video 4.

Në ketë video të datës 20 Shtator 2023 paraqiten pamje ku grupi ka hasur në rezistencë dhe ku simulohet mbështetja me mjete te blinduara (HUMVEE).

Video 5.

Këto pamje po ashtu të datës 20 Shtator 2023 janë vazhdim i pamjeve paraprake ku vërehet se automjeti luftarak (HUMVEE) ka ndaluar. Në vijën e parë shihet se ka inskenime/luftime ndërmjet gupeve . Vërehet se (HUMVEE) është duke mbështetur vijën e parë ndërsa luftimet e stimuluara nga grupi nën mbështetjen e (HUMVEE), janë duke shkëmbye zjarre. Si pjesë e këtij ushtrimi ushtarak të grupit terrorist vërehen edhe automjete (HUMVEE) dhe dyshohet se njeri nga automjetet e konfiskuar nga Policia e Kosovës në sulmin terrorist të datës 24 Shtator 2023 është përdorur në të njëjtin ushtrim.

ARMATIMI: Në foto janë shfaqur disa nga armatimi i konfiskuar e që dëshmon se të njëjtat janë të prodhuara në Serbi dhe disa prej tyre si armatimi po ashtu edhe municioni rezultojnë të jen prodhime të viteve të fundit.

SULMI Sulmi fillestar i grupit terrorist sipas të dhënave të siguruara është bërë fillimisht me eksploziv, ku si pasoj e tij ka ndërruar jetë Rreshteri Policor i stacionit policor të Zveqanit, dhe pas këtij sulmi me eksploziv kishte filluar njëkohësisht edhe sulmi me armatimin të rëndë në drejtim të zyrtarëve tjerë policorë që ishin në vendngjarje. Përmes videos dëshmohen sulmet fillestare të grupit terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Sulmet siç shihen janë bërë me armë të ndryshme duke filluar nga Zolla dhe armë tjera të renda.