“Derisa janë në pushtet Vuçiqi e Thaçi, nuk zgjidhet problemi Kosovë-Serbi”


Gazeta Express
15 Qershor 2019 18:08

Për zgjidhjen e kontestit Kosovë Serbi shkrimtari dhe dramaturgu serb Sinisha Kovaçeviq, i cili është edhe nënkryetar i Partisë (opozitare) Popullore në Serbi, ka pikëpamjet që i kanë pasur kryesisht ideologët e Serbisë së madhe dhe pushtetarët e Beogradit që e filluan luftën e dhe bënë gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës në fund të shekullit të shkuar.

Këto pikëpamje ai i ka shfaqur hapur në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve FoNet, pjesë nga e cila po botojmë.

Kovaçeviq, duke folur për zgjidhjen e problemit me Kosovën ka thënë se për këtë problem është më mirë që të priten rrethana të tjera politike dhe kohë më urta, njerëz më të më mençur dhe më të përgjegjshëm.

Ai ka theksuar se “Serbia nuk duhet të heqë dorë nga shqiptarët në Kosovë pasi që ata mund të bëhen pagues të tatimit të serbëve”.

Pas kësaj, Kovaçeviq nuk sheh arsye që një shqiptar i Kosovës të mos jetë përfaqësues i Serbisë në Kombet e Bashkuara dhe nuk frikohet dhe s’e mendon të keqe uljen e deputetëve kosovarë në Parlamentin e Serbisë ose që në Qeverinë serbe ketë ministra shqiptarë të Kosovës.

Kovaçeviq nuk sheh shpëtim nga figurat aktuale politike kosovare e serbe ndaj mendon se ato duhet larguar nga skena.

“Derisa në pushtet të jenë Vuçiqi, Haradinaj, Thaçi e ngjashëm si dhe kjo përbërje e parlamentit të Serbisë, ky problem nuk mund të zgjidhet”, ka thënë ai.

Kovaçevqi nuk sheh kurrfarë arsyeje për kufizimin ose ndarjen Kosovë – Serbi.

“Kufi ose ndarje nuk ka ndërmjet Spanjës e Katalonjës dhe as ndërmjet Britanisë së Madhe e Gjibraltarit. Nëse kufiri shkon përmes Koshares e Pashtrikut, atëherë edhe unë jam për kufizim”, ka thënë me hipokrizi Kovaçeviqi ,të cilit me gjasë i është ndalur ora e historisë.

ka edhe “zgjidhjen e vet” për statusin e shqiptarëve: “Atë që e kanë serbët në Bosnjë e Hercegovinë, duhet dhënë shqiptarëve në Kosovë, atë që e kanë boshnjakët e kroatët në Republikës Sërpska duhet dhënë serbëve në Kosovë”, ka thënë ai duke “harruar” se Kosova është e liruar nga Serbia që nga Serbia që nga vitit 1999 dhe e pavarur që nga viti 2008.

Sipas tij, ky është një lloj kompromisi: Kosova të mbetet në hapësirën identitare shtetërore serbe, por t’iu përkasë të gjithë shqiptarëve që atje kanë lindur fëmijë dhe kanë varrosur prindërit.

Referendumin për Kosovën ai e quante të pabazë sado që e sheh mundësinë e mbajtjes së tij, por në një rrethanë tjetër :

“Nëse personi që i ka uzurpuar të gjitha pozicionet e forcës, gjithë pushtetin në Serbi , vendos që disa pjesë të shtetit serb, shpirtin dhe historinë e tij, t’ua japë shqiptarëve ashtu që të krijohet sa më shpejt Shqipëria e madhe, atëherë referendumi është i domosdoshëm”, ka thënë Kovaçeviq,

Ka shtuar se dy shtetet e njohura ndërkombëtarisht pastaj nuk mund t’i pengojë askush që ta bëjnë bashkimin kombëtar.

“Në këtë rast kjo është Shqipëri e madhe dhe në këtë rast kjo është hyrje në luftë”, ka thënë Kovaçeviq duke përfunduar se “Kosova për të është parahapësirë e çdo gjëje serbe dhe pjesë integruese e identitetit serb”.

Te fundit


Kthehu lart