Dërguti thotë se mund ta çonte Konjufcën në gjyq për shpifje


Gazeta Express
17 Prill 2019 20:35

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Aida Dërguti, e ka mohuar kategorikisht të ketë qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

E gjithë situata e cila e ndërlidh Dërgutin me SHIK-un, sipas saj, është shpifje dhe për këtë tha ajo, edhe mund ta çonte në Gjykatë ish kolegun e saj, Glauk Konjufcën, por nuk e bëri.

“Kam shërbyer gjatë korrikut dhe gushtit, ende pa u themeluar SHIK-u, dhe ata që kanë qenë në Prishtinë atë kohë në atë periudhë e dinë se njerëzit ktheheshin. Ka qenë kohë shumë e dhimbshme sepse i shihje gratë që kishin mbetur pa burra e pa shtëpi, vinin e na drejtoheshin për strehim. Kush e kujton këtë periudhë ka shumë çka për të folur. Kjo periudhë e shërbimit ka qenë në kuadër të UÇK-së”, ka thënë ajo.

“Në kohën kur është themeluar SHIK-u unë kam qenë duke punuar në një organizatë jo qeveritare, në Ferizaj”, ka shtuar më tej ajo. “I kam ndërprerë dikur kah gushti, nuk e shihja një vend ku mund të kontribuoja”.

Dërguti ka thënë se kur ka shkuar në Vetëvendosje ka treguar gjithë biografinë e saj, ndonëse kishte vetëm 5-6 javë shërbim në G2.

“Kam qenë e sinqertë në çdo pjesë të rrëfimit tim, kudo që kam qenë e angazhuar dhe këtë e ka ditur Vetëvendosje, e kanë të gjithën, ku kam punuar dhe kur kam punuar sepse mendoj që njerëzit duhet të jenë të sinqertë kur futen në politikë”, ka thënë ajo.

Te fundit


Kthehu lart