Deputeti i VV-së akuzohet se po i tejkalon autorizimet me iniciativën për të ndalur duhanin në lokale - Gazeta Express
string(99) "deputeti-i-vvse-akuzohet-se-po-i-tejkalon-autorizimet-me-iniciativen-per-te-ndale-duhanin-ne-lokale"

Liridonë Çeta

10/02/2020 15:53

Deputeti i VV-së akuzohet se po i tejkalon autorizimet me iniciativën për të ndalur duhanin në lokale

Liridonë Çeta

10/02/2020 15:53

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka nisur një iniciativë nëpër kafenetë e Ferizajt, për ndalimin e pirjes së duhanit. Ani pse ekziston një ligj për ndalimin e pirjes së duhanit nëpër lokale, Basha thotë se ai nuk po respektohet dhe se iniciativa e tij ka të bëjë me vetëdijesimin e pronarëve të lokaleve, por edhe të qytetarëve. Inspektorati i Ferizajt thotë se janë vonuar në implementimin e këtij Ligji. Ata po e presin pranverën për ta marrë seriozisht këtë çështje. E dikush po e sheh si kundërvajtje iniciativën e Bashës

Ka nisur takimet me pronarë të kafeneve të Ferizajt për të marrë një zotim se në lokalet e tyre nuk do të lejohet pirja e duhanit.

Lexo Edhe:

Dimal Basha po thotë se këtë po e bën pasi Ligji për ndalimin e pirjes së duhanit nuk po respektohet as nga qytetarët, e as nga pronarët e lokaleve.

“Këtë iniciativë e kam pasur ende pa qenë deputet, e kam pas nisur atëherë. Ligji është, por duke i marrë parasysh rrethanat që nuk e ka respektu askush, apo e është respektu në mënyrë selektive, nuk e kam pa të arsyeshme me shku te Inspektorati edhe me iu thënë dënoni njerëzit, pa e fillu një kampanjë të sensibilizimit, me i përgatitë edhe pronarët edhe qytetarët sepse edhe është e jashtëligjshme dhe e dëmton shëndetin”, ka thënë deputeti VV-së për Express.

Basha ka theksuar se për të bërë një gjë të tillë nuk i duhet të marrë autorizim nga askush. Sipas tij, pronarët e lokaleve vetëm po zotohen se nuk do ta lejojnë pirjen e duhanit, e kjo thotë se ua jep një përgjegjësi morale.

“Autorizim për nismë të mirë për qytetarët nuk të vyen, ky është vetëm zotim që jep njëfarë përgjegjësie morale me iu përmbajt asaj. Por nuk është se është kundërvajtje, sepse ata po thonë se i përmbahemi, vetëm të respektohet ligji për krejt”, ka thënë Basha.

Ai ka theksuar se po bashkëpunon edhe me policinë e Inspektoratin

Për të çuar deri në fund nismën e tij, Basha ka thënë se po bashkëpunon edhe me policinë dhe inspektoratin.

Ai thotë se do të takohet edhe me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, për të biseduar rreth fillimit të implementimit të Ligjit.

“Policia për komunitet kanë thënë se duhet asistenca e tyre, sepse ka qytetarë që nuk duan ta respektojnë ligjin apo gjobat edhe pse inspektori iu thotë, kështu që duhet asistenca e policisë dhe inspektoratit, komunës, për vetëdijesim derisa të fillojë implementimi”, ka theksuar ai.

Se Basha është takuar me zyrtarë të Inspektoratit të Ferizajt e ka konfirmuar për Express edhe koordinatori i Inspektoratit në Komunën e Ferizajt, Ridvan Berisha.

“Ka qenë është konsultuar, kemi biseduar. Ka treguar se e ka ndërmend ta bëjë një iniciativë sensibilizuese”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se janë vonuar në implementimin e Ligjit për duhanin. Ai ka deklaruar se gjatë këtij viti do të fillojnë të merren më seriozisht me këtë punë. Por, për këtë, po e presin stinën e pranverës.

“Jemi vonuar në zbatimin e këtij Ligji, por vonesa është në nivel të vendit. Në pranverë kur njerëzit do të dalin jashtë nëpër kafene, do të vendosim shenja brenda lokaleve, që të sensibilizohen qytetarët dhe në vjeshtë të mos hyjnë brenda për të pirë duhan”, ka thënë Berisha.

Ai ka theksuar se implementimi i Ligjit për duhanin është i vështirë për shkak të metave që sipas tij i ka ky Ligj.

“E meta tjetër është se nuk ka gjobë mandatare, personi fizik mund të dënohet me 50 euro, Biznesi dhe menaxheri vetëm përmes Gjykatës dënohet, personi fizik në dorë. Inspektorët sanitarë dhe të tregut, duhet edhe përkrahja e policisë, sepse qytetarët jo çdo herë ua japin identitetin inspektorëve dhe kështu është e vështirë të identifikohen”, ka theksuar Berisha.

E krejt nismën e deputetit Basha, dikush po e sheh si të jashtëligjshme. Kenan Gashi, nga rrjeti i organizatave AVONET, po thotë se mund të bëhet fushatë sensibilizuese, por jo në mënyrën të cilën po e bën Basha.

“Iniciativat gjithherë janë të mira për komunitet apo për publikun, por praktika dhe forma si e ka bërë deputeti Basha nuk përkojnë me etikën profesionale, sepse institucionet e Republikës së Kosovë janë të obliguara të marrin masa ndaj lokaleve. Fushata duhet të bëhet, por jo të nënshkruhet me pronarët e lokaleve”, ka thënë Gashi për Express.

Ai tutje thotë se Basha duhet të ketë autorizim për ta bërë një gjë të tillë. Ai thekson se ajo çka do duhej të bënte Basha është presioni tek institucionet për implementim të Ligjit për duhanin.

“Në njëfarë forme, z. Basha po i tejkalon autorizimet e një qytetari apo deputeti, po bën shkelje. Ai ka marrë përgjegjësi për zbatim të Ligjit. Fushata sensibilizuese duhet të nis nga shoqëria civile, ose bashkërisht me shoqërinë civile, sepse praktikat janë treguar të tilla. Duhet të bëhet presion ndaj institucioneve për implementim të Ligjit”, thotë Gashi.

Ligji për kontrollin e duhanit në Kosovë ka hyrë në fuqi në vitin 2013, por që zbatimi i tij ende vlerësohet se nuk është në nivelin e kënaqshëm. /GazetaExpress/