Deputetët nesër merren me Tribunalin e Kryeparlamentarit


Gazeta Express
15 Maj 2019 18:31

Nesër pritet që Kuvendi ta mbajë seancën ku do të diskutohet ideja për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë. Juristët thonë se nuk mund të ndodhë, sepse Kosova nuk mund të krijojë Tribunal. E rreth kësaj çështjeje po përplaset ideatori i Tribunalit lideri i PDK’së Kadri Veseli dhe rivali i tij kreu i LDK’së Isa Mustafa.

Institucionet e drejtësisë dhe shoqatat e familjeve të viktimave në Kosovë kanë mbajtur takime pothuajse që 1 javë rreth çështjes së themelimit të Tribunalit ndërkombëtar të krimeve të Serbisë në Kosovë.

Edhe pse kryeparlamentari Kadri Veseli është i sigurt se Tribunali do të bëhet, lideri i LDK’së, Isa Mustafa, mendon ndryshe.

Ai ka thënë se ideja e Kadri Veselit për të themeluar Tribunal Ndërkombëtar për dënimin e krimeve të luftës është përpjekje e Shefit të PDK’së për t’i mbuluar dështimet e Qeverisë, duke thënë se Kosova nuk ka fuqi të themelojë mekanizëm të tillë të drejtësisë.

“Tribunalin s’mund ta themelojë Kosova. Mund ta themelojnë Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit ose BE’ja”, ka thënë Mustafa, në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së.

Megjithëkëtë, ai ka thënë se LDK do të përkrahë çfarëdo nisme që nxjerr para drejtësisë kriminelët serbë që kanë kryer krime në Kosovë. Mustafa ka thënë se Veseli po mundohet të mbulojë mosfunksionimin e institucioneve me themelimin e një Tribunali.

“Këto iniciativa është dashur të nxiten më herët. Më duken më tepër si mbulesë se s’po funksionon asgjë në Kosovë”, ka thënë ai.

Për po këtë deklaratë të Mustafës, Veseli tha sot se të gjithë ata që mendojnë se kjo çështje është e vonuar, atëherë ata kanë fjetur deri tash dhe janë persona që i tuten hijes së vet.

“Nuk është vonë për këtë iniciative, vonë janë veç ata që gjithë jetën kanë qenë fjetë edhe tuten prej hijes të vet”, tha Veseli.

Ai u shpreh i bindur se Tribunali Ndërkombëtar do të ndodhë dhe do të memorizohet krimi që ka ndodhur mbi shqiptarët.

Edhe profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, mendon se nismat e tilla janë të vonuara, ndërkohë që sipas tij, Qeveria e Kosovës në të gjitha mandatet e deritashme, nuk u janë qasur problemeve bazike që kanë të bëjnë me çështjen e krimeve të shtetit të Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

“Është jo vetëm e vonuar, por jashtëzakonisht shumë e vonuar. Kjo nismë është dashur të jetë pas luftës, eventualisht 1 vjet ose 2 vjet pas luftës, që i bie të jetë në vitin 2001 dhe 2002. Ne, shqiptarët, duhet të vetëdijesohemi që punët tona duhet vet t’i kryejmë”, ka thënë Salihu.

Ai ka thënë se tashmë kanë kaluar 20 vjet dhe ende Kosova nuk e ka regjistrin unik për të gjithë personat e vrarë, për objektet e shkatërruara, për dëmet, për numrin e femrave të dhunuara, të cilin tha se beson që kurrë nuk do të dihet numri i saktë i dhunimeve.

Sidoqoftë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar përkushtimin e institucioneve për angazhim gjithëpërfshirës, në mënyrë që të bëhet i pashmangshëm themelimin e Tribunalit për krimet e Serbisë në Kosovë. Ai ka theksuar se Kosova “nuk pranon heshtje dhe nuk pranon as mohim” dhe se “Serbia do të përgjigjet” për viktimat që ka shkaktuar.

Kjo ide e Veselit ka shkaktuar reagime edhe në Serbi, ku disa media serbe janë alarmuar lidhur më këtë ide për themelimin e Tribunalit. Por, a mundet Kosova me të vërtetë ta krijojë Tribunalin Ndërkombëtar… mbetet të shihet!/GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart