Deputetët flasin për Express: Kazinotë, arenë e vrasjeve – kërkohet të ndalohen me ligj 


Gazeta Express
21 Mars 2019 17:23


Lojërat e fatit edhe mund t’u sjellin argëtim shumë personave, por jo rrallë herë ato janë bërë vend i përleshjeve dhe vrasjeve. Brenda pak ditësh humbën jetën në to dy persona. Kjo ka ngjallur shumë reagime si në shoqëri, ashtu edhe tek udhëheqësit e partive politike. LDK’ja ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit që e lejon veprimtarinë e lojërave të fatit në Kosovë; kërkesa po gjen mbështetje edhe tek partitë e tjera. Por, përveç atyre që cilësohen lojëra fati e që janë të licencuara, në vend ka edhe kazino, veprimtari që nuk është e lejuar të zhvillohet, shkruan Gazeta Express

Liridona Çeta

Për më pak se një javë, lokalet e lojërave të fatit u bënë vend i vdekjes për dy të rinj nga Kosova. Jetmir Aliaj u qëllua për vdekje të dielën e 17 marsit në një lokal të lojërave të fatit në Suharekë. Vend ky i cili në deklaratën zyrtare të Inspektoratit Policor të Kosovës u cilësua si kazino.

“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot nga Policia e Kosovës për një rast gjuajtje me armë zjarri në Suharekë i cili kishte ndodhur në një lokal (kazino)  në rrugën “Skënderbeu” në fshatin Reshtan të Suharekës”, është shkruar në komunikatën e IPK’së.

Ndërkaq mbrëmjen e së mërkurës, qyteti i Lipjanit u trondit nga vrasja e 36-vjeçarit Florent Ahmetaj, nga Rezalla e Skenderajt, i cili u gjet i vdekur në vendin e tij të punës, pikërisht në një lokal të lojërave të fatit.

E vdekja e dy të rinjve, ka bërë që si rrallë herë, partitë politike të vendit, pozitë e opozitë, të shprehin mendim të njëjtë për një çështje të caktuar. Ato janë dakord që të shfuqizohet Ligji i cili u lejon lojërave të fatit të veprojnë në Kosovë.

Pozitë e opozitë pro shfuqizimit të ligjit për lojërat e fatit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë për Express se partia e tij të enjten do ta dorëzojë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Kërkesa e LDK’së është që të miratohen dy pikat në të cilat thuhet se Qeveria duhet ta pezullojë aktivitetin e të gjitha kazinove dhe lojërave të fatit dhe nxjerrja e një Ligji të ri që i ndalon të gjitha llojet e fatit për një periudhë dhjetë vjeçare.

“Do të kërkojmë që rezoluta të miratohet pa asnjë debat, për respekt ndaj dy personave të vrarë në kazino, njëri në Suharekë dhe tjetri sonte në Lipjan”, ka theksuar Hoti.

E kërkesën e LDK’së po e përkrahin edhe partitë e tjera. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë për Express se në parim edhe partia e tij e mbështet një Rezolutë e cila kërkon nga Qeveria pezullimin e aktiviteteve të kazinove.

“Në parim, e mbështesim një ide për Rezolutë të Kuvendit që kërkon nga Qeveria pezullimin e aktiviteteve të kazinove. Besoj se sot gjatë ditës do të shohim edhe tekstin e kërkesës dhe do të procedojmë tutje”, ka thënë Krasniqi.

Se ideja që të shfuqizohet Ligji për lojërat e fatit duhet të përkrahet, po pajtohet edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi.

Kurteshi, ka thënë për Express se personalisht mendon se një Ligj i cili i ndalon lojërat e fatit në Kosovë, duhet të përkrahet. Sipas Kurteshit, vendet ku zhvillohen veprimtari të tilla, janë vende të dëmshme për Kosovën, e sidomos për të rinjtë.

“Ato janë vende të dëmshme sidomos për të rinjtë, vende ku po organizohet krimi dhe veprime tepër të ndyta dhe të dëmshme për këtë vend. Kjo lloj veprimtarie duhet të ndërpritet sa më parë në vendin tonë”, ka thënë Kurteshi.

Me kërkesën e LDK’së po pajtohet edhe Partia Socialdemokrate. Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi, ka thënë për Express se e përkrahin dhe kanë dhënë nënshkrimet për këtë kërkesë.

Peticion për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit

Ndërkaq pas dy vrasjeve të fundit në lojërat e fatit, kryetari Komunës së Suharekës Bali Muharremi, ka marrë iniciativën për mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve për mbylljen e lojërave të fatit në komunën e tij.

Muharremi thotë për Express se ishte edhe kërkesë e qytetarëve të komunës së tij, që këto lojëra të fatit të mbyllen. Ai shton se pas vrasjes në Suharekë, me mijëra qytetarë i kanë shkruar mesazhe duke i kërkuar një gjë të tillë.

“Kam apeluar edhe tek komunat e tjera pa dallime partiake, që ta kryejmë të gjithë një gjë të tillë. Unë e di që nuk është e lehtë, por do ta kryej obligimin dhe do ta dërgoj në Kuvend këtë peticion.”, është shprehur Muharremi.

Iniciativën e Muharremit për nënshkrimin e një peticioni ndaj shfuqizimit të Ligjit për lojërat e fatit, po e përkrah edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Ai ka thënë për Express se me shfuqizimin e këtij Ligji do të mbrohen jetët e qytetarëve si dhe ekonomia e tyre.

“Mendojmë qe më këtë shfuqizim të Ligjit mbrojmë jetët e njerëzve, pronën e tyre dhe ekonominë e familjeve të komunave”, ka thënë Latifi.

Ndërkaq nënshkrimi i peticionit për shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit po gjen përkrahje edhe nga Komuna e Vushtrris dhe Komuna e Lipjanit.

ATK’ja thotë se asnjë kazino nuk është e licencuar në Kosovë

Megjithëse me një kërkim të thjeshtë në “Google”, mund të shohësh se në Kosovë ka plotë lokale ku veprimtarinë e tyre e cilësojnë si kazino, pasi në historikun e tyre, përpos lojërave të fatit dhe bastoreve, aty shkruan se mund të luash edhe kockë, Administrata Tatimore e Kosovës thotë se asnjë prej tyre nuk është e legalizuar.

Gazeta Express ka kërkuar nga ATK’ja të dhëna rreth kazinove ilegale të cilat operojnë në vend, mirëpo ata thonë se në momentin kur kanë informatë se diku po zhvillohet kjo veprimtari, ata intervenojnë dhe e mbyllin.

“Nuk kemi informata se sa kazino ilegale janë në Kosovë, ne kur kemi informata apo hasur në veprimtarin e kazinosë i ndëshkojmë sipas ligjit dhe i mbyllim, si dhe iniciojmë raste për kallëzim penal për ushtrim të veprimtarisë ilegale”, thuhet në përgjigjen e ATK’së për Express.

ATK’ja thotë se lokalet që i shohim me reklama të ndryshme nuk janë me veprimtari kazino. Pasi sipas Ligjit 04/L-080 këto lokale cilësohet lokale me automate dhe klube të veçanta, kurse lokalet që ushtrojnë veprimtari të kazinosë janë lojëra që organizohen Live, Poker, Black Jack, Rulet etj.

Mirëpo, inspektorët e ATK’së, bashkë me Inspekcionin e Komunës së Rahovecit, kanë mbyllur një kazino gjatë javës së kaluar.

Megjithëse ATK’ja nuk e ka cekur një gjë të tillë, këtë për Express e ka konfirmuar drejtori i Inspekcionit në Komunën e Rahovecit, Besnik Hoti.

“Javën e kaluar kemi pasur një aksion të përbashkët me inspektorët e ATK’së, ku kemi mbyllë pesë lokale të lojërave të fatit (bastore sportive), e njëra ndër to ka qenë kazino“, ka thënë Hoti për Express.

E raste të tjera të përleshjeve dhe të vrasjeve ka pasur edhe herë të tjera nëpër kazino në vendin tonë.

Raste të tjera të konflikteve nëpër kazino

Një konflikt që kishte tronditur Prishtinën ishte ai i vitit 2005 në “Sëiss Casino”, në mes të Enver Sekiraqës dhe Triumf Rizës, ku ky i fundit mbeti i vrarë. 

Konflikti në “Sëiss Casino” rezultoi edhe me përleshje me armë ku u plagos ish-polici Arben Selmani.

Në këtë konflikt, u përfshinë disa pjesëtarë të grupit “Sekiraqa”, në njërën anë dhe Triumf Riza me shoqëruesit e tij në anën tjetër.

Lojërat e fatit dhe kazinotë sipas Ligjit

Ndërkaq sipas Ligjit në fuqi, lojëra të fatit konsiderohen lojërat më të cilat pjesëmarrësve u jepet mundësia e fitimit në para, sende apo të drejta me atë që rezultati i fundit i lojës nuk varet nga dija apo mjeshtëria e pjesëmarrësit në lojë, por nga rasti apo situata e pasigurt.

Kazino është lokal i destinuar për organizim të lojërave të veçanta të fatit, të cilat organizohen në tavolinat për lojë me topëza, kubëza apo me letra (siç është ruleti, boule, chemin derr ferr, black Yack , trrente quarante, baccarat , carps etj) (terme standarde)./GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart