Dënohet me burg e gjobë personi që pranoi se prodhoi narkotikë


Gazeta Express
25 Qershor 2019 12:14

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën, e ka dënuar me një vit burgim me kusht dhe 500 euro gjobë të akuzuarin për prodhim të narkotikëve, Ylber Dibrani

Mirëpo, dënimin me burgim nuk do ta mbajë nëse brenda dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale, ndërsa dënimin me gjobë është i detyruar ta paguajë brenda tre muajve, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Gjykata e ka paralajmëruar të pandehurin që në rast se nuk e paguan dënimin me gjobë, atëherë do t`i zëvendësohet me burgim ku për çdo ditë burgim, do t`i llogaritet nga 20 euro gjobë.

Krahas kësaj, gjykata ndaj të pandehurit ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, me ç` rast i ka konfiskuar dhjetë bimë të kanabisit.

Po ashtu, gjykata e ka obliguar të pandehurin që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë 20 euro, në emër të shpenzimeve procedurale 30 euro si dhe për kompensim të viktimave 50 euro.

Këtë dënim, gjykata, e ka shqiptuar pasi paraprakisht i pandehuri Dibrani, pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësen e tij, të caktuar sipas detyrës zyrtare, Zehra Verbovci, e ka pranuar fajësinë.

Lidhur me dënimin, kryetari i trupit gjykues, Avni Mehmeti, ka deklaruar se si rrethanë lehtësuese ka marrë pranimin e fajësisë nga i pandehuri, bashkëpunimin e tij me gjykatën, kohën e gjatë të kaluar nga kryerja e veprës penale si dhe statusin e tij të familjarit.

Para deklarimit të pandehurit lidhur me fajësinë, prokurori i rastit, Ismet Ujkani, ka shtuar në fund të dispozitivit pas fjalës së “policisë“, duhet të shtohen fjalët “që pas ekzaminimit laboratorik rezultati ka treguar se është prezent kanabisi (mariuhan) që përmban tetrahidrokanabinol (THC) pesha e përgjithshme 97.91 gramë”.

Ndryshe, ish- Prokuroria Publike e Qarkut, me 1 nëntor 2011, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ylber Dibrani.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Dibrani, me datën e pacaktuar të muajit mars të vitit 2011, në  kopshtin e shtëpisë së tij, në fshatin Kushtovë në Mitrovicë, kishte kultivuar bimë të kanabisit-marihuanës, për të cilat është kujdesur duke i ujitur dhe kishin arritur gjatësinë rreth 2.80 cm, me ç` rast më 13 shtator 2011, ishin gjetur dhe konfiskuar policia.

Me këtë, Dibrani akuzohet se ka kryer veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe i substancave psiko-tropike”, nga neni 230 par 1 i KPK-së./BetimiPërDrejtësi

Te fundit


Kthehu lart