Demokratizimi i Partisë si zëvendësues i listave të hapura - Gazeta Express
string(58) "demokratizimi-i-partise-si-zevendesues-i-listave-te-hapura"

Demokratizimi i Partisë si zëvendësues i listave të hapura

Ermal Mulosmani

07/07/2020 16:30

Prej disa ditësh është rikthyer në diskutim mediatik platforma e PD-së për hapjen e Partisë ndaj mendimit të bazës. Ethet e fushatës kanë zënë të parët opozitarët, koha e gjatë e durimit duket se po shteron.

Platforma e Partisë Demokratike për lënien e 80% të kandidatëve për deputetë, mendimit të anëtarësisë së Partisë, në nisje, është një vendim për t’u përgëzuar. Në mungesë të listave të hapura, ku votuesi zgjedh nga Lista e Kryetarit, emrat që pëlqen vetë ai, propozimi për t’ia deleguar anëtarësisë është një hap zëvendësues që nuk respekton të gjithë votuesit por të paktën anëtarësinë e Partisë.

Lexo Edhe:

Partia Demokratike gaboi rëndë  që nuk mori flamurin e listave të hapura. Nëse ai flamur (ndryshimi i sistemit zgjedhor) do të mbahej nga demokratët, jam i sigurtë  që sot, simpatia për PD-në, në një masë të madhe njerëzish do të ishte e madhe. Ka të bëjë me respektin minimal të votuesit.

Dihet publikisht që sistemi me lista të mbyllura është një investim personal i Edi Ramës dhe ai kurrë nuk do të pranonte ta ndryshonte. Sidomos nëse këtë gjë do ia kërkonte Partia Demokratike. Lulzim Basha do të dukej kurajoz në propozime dhe demokrat në ide.

Ndodhi pikërisht e kundërta, Basha jo vetëm u  step nga frika e ndryshimit të sistemit por militantët e tij të nxirrnin sytë “Kush kërkon lista të hapura bën lojën e Ramës”, “nuk është problemi te sistemi por te siguria e votës” a thua që këto gjëra ishin të varura nga njëra-tjetra, po të ndryshohej sistemi nuk mund të garantohej vota. E vërteta ishte që ato ishin dy çështje të pavarura nga njëra tjetra, mundej të futeshin në diskutim paralel.

Ky refuzim demokratësh i listave të hapura ndiqej me mjaft simpati nga zyra Kryeministrore. Ai nuk prononcohej fare por fërkonte duart nga kënaqësia kur militantët demokratë bënin meme tallëse për listat e hapura. Kauzën kryesore të tij po e mbronte me devocion Partia Demokratike…

Në këtë moçal idesh, për ta zvetënuar edhe më shumë një ide progresive, flamuri i listave të hapura iu dha grupit të surrogatëve parlamentarë. Në këtë moment të dyja palët ia arritën qëllimit, e bënë qesharake idenë. Mirëpo ndryshe nga Basha, Kryeministri edhe këtu e ka një qëllim diabolik. Ai është gati të sakrifikojë dashurinë e parë të tij, “listat e mbyllura”, për një ide më tinzare, më cinike, “Ndalimin e koalicioneve parazgjedhore”. Praaktikisht, gjithë toleranca për listat e hapura i buron nga ndalimi i koalicioneve. Që në fakt janë dy gjëra që nuk kanë pse lidhen me njëra tjetrën. Në Kosovë funksionojnë listat e hapura dhe lejohen koalicionet.

Për qëllime të këtij shkrimi po mënjanoj zhvillimet e mundshme parlamentare dhe po merrem me platformën e hapjes së Partisë Demokratike të cilën në përgjithësi e vlerësoj një zhvillim mjaft pozitiv.

  1. Dhënia e 80 % të emrave bazës (112 nga 140 kandidatë) nuk ka sesi të mos përshëndetet. Edhe sikur kandidatë e Kryetarit të vendosen në vende të sigurta janë vetëm 28 deputetë çka garanton një nivel përfaqësimi në Parlament të vullnetit të anëtarësisë në masë mjaft të lartë. Supozojmë që Partia Demokratike merr  56 mandate, i bie që 28 prej tyre janë të Kryetarit dhe 28 janë propozime të anëtarësisë. Çdo numër më i lartë i ulëseve në Parlament rrit peshën specifike të të përzgjedhurve nga anëtarësia. Më duket e mjaftueshme. Një korrigjim do të sugjeroja, çdo anëtar të ketë të drejtën e propozimit të aq kandidatëve sa deputetë do ketë qarku. Jep një pasqyrë më të qartë sesa “një anëtar propozon një kandidat”.
  2. Vendosja e kushtit  30% për gra dhe 10 % për të rinj duhet të specifikohet në tej. Nëse i ke vendosur gratë dhe të rinjtë në vende humbëse nuk ke bërë asgjë. Për të qenë të sinqertë me këtë pikë duhet që nga 42 gra (30% *140), të paktën 30 prej tyre të jenë në vende të sigurta. Po ashtu edhe me të rinjtë, nga 14 që u takojnë 7 të jenë në vende të sigurta.
  3. Sistemi i listave të mbyllura përcakton për rrjedhojë të tij, që, kandidatët në vende të diskutueshme janë lokomotiva e votave. Për shembull, nëse në Tiranë nga zgjedhjet e kaluara janë marrë 11 deputetë, Partia Demokratike duhet të vendosë në listën e saj në numrat 11,12, 13, 14 e deri në 18 emrat më të fuqishëm elektoralë. Do të ishte mirë që numri 12 në Tiranë, fjala vjen, të ishte Kryetari i Partisë. Do të ishte vendim kurajoz që e ngre stekën e besimit të elektoratit. Kjo logjikë duhet të përdoret në çdo qark. Sistemi që rehaton figurat e Partisë në numra të sigurtë dhe pastaj pret që votat e diskutueshme t’i marrin  figurat e parëndësishme  ka treguar që nuk merr rezultatet e duhura.
  4. Të gjithë prurjet e reja që kanë pritur 7 vjet për të ardhur në korridoret e PD-së, duhet të grumbullojnë vota për të fituar vendin e deputetit. Ata janë të parët që duhet të ballafaqohen me votën e publikut. Në listën e Kryetarit ata janë bash në teh të rrezikut. Nëse futen në Parlament do të thotë që e kanë fituar votën. Përndryshe mundësia u dha.
  5. Në listën e pozicioneve të përjashtuara nga konsultimi me bazën përveç ish Kryeministrave të qeverisjes demokratike duhet të bëjnë pjesë edhe ish Presidentët dhe ish Kryetarët e Kuvendit. PD u jep mundësi atyre që, në respekt të pikës 4 të mbledhin vota.
  6. Kryetari i Partisë Demokratike duhet të deklarojë botërisht që, nëse Partia e tij nuk arrin të marrë pushtetin në këto zgjedhje, vetëm a në koalicion, ai do të tërhiqet nga posti i Kryetarit. Do ishte mjaft inkurajuese dhe rritëse e besimit.
  7. Demokratizimi i Partisë Demokratike duhet të jetë në sytë e medias. Të gjithë mosbesuesit duhet të shohin me sytë e tyre garën e vërtetë, qoftë edhe mes zënkash apo përplasjesh e pakënaqësish. Demokracia i presupozon ato. Publikimi i procesit të demokratizimit është premisa e parë për besimin në proces. E kundërta, nëse procesi zhvillohet me dyer të mbyllura e steril, do t’u japë gojë kundërshtarëve.

Partia Demokratike meriton të përgëzohet për iniciativën. Mbetet të shpresojmë që nuk do jetë një tullumbace fiktive. Jam i prirur të besoj se këtë radhë Basha ka bërë lëvizjen e duhur në mungesë të listave të hapura.