Del numri i 23-të i revistës “Filologji”


Gazeta Express
18 Shtator 2019 14:17

Numri i 23-të i revistës shkencore “Filologji” të cilën e boton Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës vjen me materiale shumë interesante për lexuesit shqiptarë, shkruan KultPlus.

Nën drejtimin e kryeredaktorit Prof. dr. Sali Bashota, revista ka në përbërjen e saj personalitete të shquara nga bota albanologjike si: Prof. dr. Aurel Plasari (Tiranë), Prof. dr. Osman Gashi, Prof. dr. Françesko Altimari (Kozencë), Prof. asoc. Dr. Muhamet Hamiti, Dr. John Hodgson (Londër), Prof. asoc. dr. Nysret Krasniqi, Prof. dr. Russana Hristova Beyleri (Sofje), dhe Prof. asoc. dr. Rrahman Paçarizi.

Në këtë numër, akademikja Floresha Dado vjen me studimin “Skënderbeu midis historisë, mitit historik dhe mitit letrar – një çështje debati shkencor” kurse Prof. dr. Kujtim Shala sjell trajtesën “Zef Pllumi: Librat e kujtimeve”.

Nga Prof. ass. dr. Naim Kryeziu prezantohet me “Analizë krahasuese e dy versioneve të përkthimit të poezisë së Hajnrih Hajnes “Lorelaja”.

Prof. asoc. dr. Bavjola Shatro paraqet shkrimin autobiografik të Musine Kokalarit “Jeta ime universitare” – “Hyrje në Prozën natyrale të jetës së përditshme”.

Profesori Besim Rexhaj për numrin e 23-të revistës sjell “Aspekte të kategorisë së vdekjes në tragjeditë e Shekspirit”, ndërsa profesor Xhavit Beqiri prezantohet me “Sinonimia e Romanit ‘Oh’ të Anton Pashkut”

Për këtë numër kanë kontribuar edhe studiues të tjerë që prezantohen me materiale me interes për lexuesit shqiptarë.

Klod Pishoa dhe Andre Ruse prezantohen me “Historia e përgjithshme e letërsisë”, Ilir Breca me “Identiteti letrar i letërsisë së vjetër shqipe”, Edona Jahiu me “Disa kontribute të Kolec Topallit në fushën e fonetikës” dhe Halil Asllani me “Anglicizmat dhe të kuptuarit e tyre në gjuhën shqipe”.

Revista shkencore “Filologji” e Fakultetit të Filologjisë do të botohet dy herë brenda vitit dhe si synim kryesor ka afirmimin e vlerave shkencore albanologjike brenda dhe jashtë vendit. /KultPlus.com

Te fundit


Kthehu lart