Deklaratat e Agim Bahtirit për vëllavrasje në Kosovë, VV: S'kemi nevojë për konflikt - Gazeta Express
string(81) "deklaratat-e-agim-bahtirit-per-vellavrasje-ne-kosove-vv-skemi-nevoje-per-konflikt"

Arlena Krivenjeva

30/03/2020 13:08

Deklaratat e Agim Bahtirit për vëllavrasje në Kosovë, VV: S’kemi nevojë për konflikt

Arlena Krivenjeva

30/03/2020 13:08

Kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri, që në zgjedhjet e fundit parlamentare iu bashkua Vetëvendosjes ka kërcënuar sot me vëllavrasje në vend, në rast se krijohet qeveri e re, pa shkuar në zgjedhje. Në një përgjigje për Gazetën Express, nga partia e Albin Kurtit janë distancuar nga këto deklarata.

Deklaratat e presidentit Hashim Thaçi për bisedime me partitë politike tjera në vend, e ato të LDK-së që mund të krijojnë një qeveri të re me AAK-në e Nismën, nuk i kanë pëlqyer kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Lexo Edhe:

Ai sot ka deklaruar se në rast se ndodh një skenar i tillë, në Kosovë do të ketë vëllavrasje.

“Qeveria e re do të bëhet kur bëhen zgjedhjet dhe sot ia tregojmë secilit vendin. Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje, mos hini në një konflikt vëllavrasje sepse ne nuk e kemi ndërmend me lëshu me na vjedh dikush pushtetin, qytetarët na kanë dhanë deri të na japin prapë do të jemi aty. Unë po i frikësohem asaj sepse populli është shumë i revoltuar. I bëjë thirrje presidentit që të ketë kujdes në këtë drejtim dhe ti shpallë zgjedhjet”, ka thënë Bahtiri, duke deklaruar se në Kuvend në zgjedhjet e ardhshme kjo parti do t’i ketë 46 deputetë.

Nga kjo deklaratë e Bahtirit, janë distancuar sot në Lëvizjen Vetëvendosje.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Arlind Maxhuka nga sekretariati për media i LVV-së, ka thënë se momentalisht po merren me pandeminë dhe se në zgjedhje do të shkohet sapo të dalim nga kjo situatë.

Nga partia e Albin Kurtit shtojnë se nuk ka nevojë për konflikt në vend.

“Aktualisht jemi duke u marr në mënyrë të plotë me Pandeminë Covid19 dhe posa ky virus të largohet e të rikthehet normaliteti, në përputhje me Kushtetutën të shkohet në zgjedhje të reja, siç kemi deklaruar edhe ditë më parë. Nuk kemi nevojë për asnjë konflikt, së bashku me qytetarët e vendit, me disiplinën tonë të përbashkët, do ta kalojmë edhe pandeminë edhe secilin problem tjetër”, ka shtuar ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të ketë konsultime me të gjitha partitë parlamentare, për t’i marrë sugjerimet dhe këshillat e tyre se cilën rrugë duhet ndjekur pas mocionit për rrëzimin e Qeverisë. /GazetaExpress/