"Deklarata gjermano-franceze e vonuar, s’përmendin as njohjen reciproke sikur amerikanët" - Gazeta Express
string(85) "deklarata-gjermano-franceze-e-vonuar-spermendin-as-njohjen-reciproke-sikur-amerikanet"

Besnik Veliu

26/05/2020 11:59

“Deklarata gjermano-franceze e vonuar, s’përmendin as njohjen reciproke sikur amerikanët”

Besnik Veliu

26/05/2020 11:59

Analisti kosovar dhe njohësi i rrethanave politike, Agon Maliqi, po e sheh si të vonuar deklaratën e përbashkët të Francës dhe Gjermanisë sa i përket çështjes së rinisjes së negociatave në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Maliqi thotë se Parisi dhe Berlini zyrtar janë dy motorët që i shtyjnë gjërat përpara aty ku ngec Brukseli, por thotë se në letrën e tyre të fundit kanë injoruar dy problemet e BE-së si ndërmjetësues.

Lexo Edhe:

Maliqi thotë se është shpërfillur çështja e besueshmërisë së BE-së duke përmendur mosliberalizimin e vizave për Kosovën dhe gjithashtu mungesa e masave nxitëse që palët të rikthehen në dialog.

“Përfshirja e drejtpërdrejtë gjermane dhe franceze gjithmonë ka qenë e mirëseardhur sepse janë motorët e BE-së që mund t’i lëvizin gjërat aty ku Brukseli nuk mundet. Sidoqoftë, tani kjo deklaratë e përbashkët vjen pak me vonesë dhe i shpërfill disa prej problemeve kryesore me rolin e BE-së si ndërmjetësues. Injorohet krejtësisht çështja e kredibilitetit të dëmtuar të BE-së (psh. vizat për Kosovën) apo edhe mungesa e levave të saj të presionit ndaj palëve”, ka thënë Maliqi për Express.

Agon Maliqi

Analisti kosovar thotë se aktualisht Serbia ndodhet larg integrimit në BE dhe s’ka kurrfarë interesi për ta njohur Kosovën shtet, derisa për Kosovën përmend vazhdimin e izolimit pa viza.

“Cilat janë shtysat për palët për t’u përfshirë në proces? Serbia i ka integrimet evropiane larg dhe nuk ka kurrfarë presioni për ta njohur Kosovën. Kosova mbetet në izolim të plotë përkundër gjithçkaje”, ka theksuar Maliqi.

Ai thotë se edhe përkundër faktit që në tekstin e deklaratës së përbashkët theksohet nevoja që të gjendet një zgjidhje me urgjencë, nuk ofrohet kurrfarë afati kohor dhe nuk ceket fare çështja e njohjes reciproke, siç e potencojnë amerikanët.

“Për më tepër, përkundër faktit se në shkrim ka njëfarë mirëkuptimi për urgjencën e zgjidhjes, aty nuk ka kurrfarë afati kohor dhe as përmendje të faktit se procesi duhet të mbyllet me njohje “njohje reciproke” (siç është qëndrimi amerikan)”, ka shtuar ai.

Maliqi thotë se qëndrimi i fundit i Gjermanisë dhe Francës rrezikon që ta shtyjë procesin drejt një rruge pafund që do t’ua mundësojë elitave politike që ta shfrytëzojnë për të mbetur në pushtet.

“Për këtë arsye, qëndrimi gjermano-francez më shumë ngjan si një deja vu e vitit 2010 dhe rrezikon të na fusë në një proces të pafund dialogu të cilin elitat politike në të dyjave vendet e abuzojnë për të mbetur në pushtet”, thekson ai.

Në fund ai thotë se Kosova s’ka kohë për të humbur dhe se është në interesin e shtetit që një problem i tillë me Serbinë të zgjidhet sa më shpejt.

“Rajoni dhe veçanërisht Kosova nuk ka kohë për të humbur. Kosova tashmë i ka humbur dy qeveritë e fundit për shkak të dialogut dhe nuk po mund të merret me problemet e brendshme. Në anën tjetër, në rrafshin ndërkombëtar ne ndodhemi në pozicion asimetrik me Serbinë, pa rrugë drejt NATO-s dhe BE-së. Është në interesin e Kosovës që kjo punë të zgjidhet sa më shpejt”, ka përfunduar ai.

Dy ministrat e Punëve të Jashtme, gjermani Heiko Mass dhe francezi Jean Yves Le Drian, në një letër të përbashkët kanë kërkuar rinisjen e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Megjithatë, kanë specifikuar se nuk janë për një zgjidhje të shpejtë, por për një dialog të përgatitur mirë. /GazetaExpress/