Deklarata e Zaevit zbardh të vërtetën e planit të fshehtë Thaçi – Vuçiq për kufijtë


Gazeta Express
10 Korrik 2019 9:25

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi në Interaktiv të KTV-së ka thënë deklarimet e kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev më së miri e zbardhin të vërtetën që fshihej në planin e fshehtë ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit.

“Nga një kënd që ndoshta se kemi pritur po zbardhet me një reflektor të së vërtetës. Ky rast tregon një të vërtetë krejt të pastër që ndoshta s’do ta thoshin para publikut. Po del se jemi në fushën e planit rus. Mbi të gjitha këto janë shumë shqetësuese. Në fakt nëse do ta lejonim që gjithçka të ishte në planin e fshehtë ndërmjet Thaçit, Vuçiqit e Putinit. Opozita ka luajtur një rol të madh në ndalimin e kësaj, dhe është shumë mirë që më nuk është në duart e tyre”, ka deklaruar Selimi.

Ai ka shtuar se për fat të keq presidenti Thaçi po vazhdon të qëndrojë në anën e kundërt të interesave të qytetarëve të tij.

Selimi tutje ka deklaruar se vendimi i Kushtetueses ia hoqi legjitimitetin e Thaçit në dialogun me Serbinë.

“Para se të ishte ky ligj dhe delegacioni shtetëror, Thaçi ka qenë i vetmuar dhe ishte pa ekip. Gabimi që bëri qeveria ishte se ia plotësoi ekipin i cili i mungonte aq shumë, e ishte pikërisht ky ekip që e legjitimonte. Ky ekip do të ishte një dekor nëse Thaçi do të vazhdonte të fliste me Vuçiqin në dialog. Duke e quar në Kushtetuese ne ia kemi hequr legjitimitetin Thaçit për të vazhduar me këtë dialog”, deklaroi ai.

Sipas tij gabimet filluan qysh në momentin kur kryeministri ia dorëzoi këtë mandat presidentit.

“Në fakt presidenti ka pasur palën tjetër të dialogut, herë fshehtas e herë haptas. Kurse ky ekip s’ka pasur asnjë palë me të cilën të fliste. Serbia e kishte vetëm një palë për të diskutuar, Vuçiqin, e ai fliste vetëm me presidentin. Këta nuk do të diskutonin as me kryeministren serbe e as parlamentin e tyre. Në këtë ekip negociator ishte kreu i Prishtinës, e ndoshta ai do të mund të fliste me kryetarin e Beogradit, këtu ndoshta po flas me ironi”, tha Selimi.

Selimi tutje thotë se Kosova është në një situatë shumë të pafavorshme për të folur me dikë, e aq më pak me Serbinë.

“Më mirë është të mos diskutohet fare se sa në këtë situatë. Më së miri tani do të ishte sikur të shkohet në zgjedhje, duke krijuar një legjislaturë të mirë për ta vendosur vendin në binarë, së pari brenda vendit e më pas edhe në aspektin e jashtëm”, thotë Selimi.

Vendimi i Kushtetueses për ekipin negociator, mosfunksionimi i parlamentit, humbja e shumicës në Kuvend e pozitës, një korrupsion aq i madh, degradimi i ndërmarrjeve publike deri në shkallën e falimentimit, janë disa nga arsyet që sipas Selimit duhet të shkohet në zgjedhje, që sipas tij jo vetëm që janë zgjidhje por ndoshta edhe shpëtim.

Ai ka përmendur edhe raportin jo normal të koalicionit qeverisës, që sipas tij përplasen për ndarje të pushtetit e jo për çështje parimore.

“Vetëvendosje është e gatshme për të shkuar me mocion mosbesimi, por për shkaqe të ndryshme LDK-ja e PSD-ja ende ndoshta nuk janë të gatshme të shkojmë në mocion, por presim që të shohim edhe reflektimin e tyre”, tha Selimi.

Te fundit


Kthehu lart