Deklarata e Metës, Bushati: Ishte kunjë për Ramën


Gazeta Express
21 Mars 2019 21:39

Analisti Andi Bushati nga emisioni ‘Të Paekspozuarit’ në News 24 ka zbërthyer deklaratën e Presidentit Ilir Meta të bërë dje nga Pogradeci se është gati të lë mandatin, me kushtin që largimi i tij të kontribuojë në zgjidhjen e krizës politike.

Ai tha se kreu i shtetit nuk kërkon t’i hedhë benzinë zjarrit, ndërsa shtoi se Edi Rama e ka të vështirë shkëputjen nga karrigia e pushtetit.

Analisti shtoi se deklarata e Presidenti Ilir Metës është një kunj për shefin e ekzekutivit.

“Mendoj se ka dy mënyra të shikuarit, deklaratën e Metës. I pari është në rrafshin sipërfaqësor. Një njeri që thotë jam gati të djeg mandatin, asociohet me Kryemadhin dhe Bashën. Por, ai thotë unë jam gati të vetësakrifikohem nëse gjendet zgjidhje për krizën. Pra, këto janë shumë të ndryshme. Gjëja e dytë, është kjo deklarata djeg mandatin presidencial. Është një karshillëk dhe kunj për Ramën.

Meta thotë unë e lë postin nëse kemi zgjidhje krize. Po të bësh panoramë të madhe të figurave politike, Berisha ka dhënë dorëheqjen. Ilir Meta ka dhënë dorëheqjen, Pandi Majko dy herë, Fatos Nano është larguar. Kemi një njeri që në 21 vjet ka shkruar shumë tekste dorëheqjesh për të tjerët, por nuk ka dhënë kurrë dorëheqjen vetë dhe ky është Edi Rama. Deklarata e Metës mund të merret në këtë kontekst.

Së treti, Ilir Meta dje ka thënë, në këndvështrimin tim, në një vend pa Gjykatë Kushtetuese, vetëm 82 deputetë janë të ligjshëm. Unë e shoh si një mënyrë që Meta thotë, ndërkombëtarët e kanë gabim , Rama e ka gabim, kriza nuk mund ta zgjatet, por ai ka lënë një mundësi që deputetët e larguar nga parlamenti, të kenë një dritare, për tu kthyer pas”- tha ai.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart