Deklarata e dëshmitarit nuk është përkthyer në gjuhën serbe, shtyhet seanca ndaj Millorad Gjokoviq - Gazeta Express
string(97) "deklarata-e-deshmitarit-nuk-eshte-perkthyer-ne-gjuhen-serbe-shtyhet-seanca-ndaj-millorad-gjokoviq"

Lajme

Gazeta Express

14/05/2026 13:58

Deklarata e dëshmitarit nuk është përkthyer në gjuhën serbe, shtyhet seanca ndaj Millorad Gjokoviq

Lajme

Gazeta Express

14/05/2026 13:58

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shtyrë seanca e së enjtes ndaj të akuzuarit për krime lufte në Ozdrim dhe fshatrat tjera të Pejës, Millorad Gjokoviq, për arsye se deklarata e dëshmitarit të ndjerë B.T., nuk ishte e përkthyer në gjuhën serbe, por vetëm atë shqipe dhe italiane.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gjokoviq, avokati Dejan Vasiq, kërkoi që të shtyhet seanca me arsyetimin se deklarata e dëshmitarit B.T., është prova më e rëndësishme në këtë shqyrtim gjyqësor dhe për shkak që nuk është e përkthyer në gjuhën serbe, nuk ka qenë e mundshme për mbrojtjen të përgatiten për këtë shqyrtim gjyqësor.

Prokurori special, Ilir Morina, tha se përmes ndihmës juridike-ndërkombëtare të autoriteteve gjyqësore të Zvicrës, kanë siguruar deklaratën e dëshmitarit T., mirëpo deklarata nuk është përkthyer ende në gjuhën serbe, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Po ashtu, prokurori Morina shtoi se për shkak të veiçimit të lëndës për të akuzuarin Gjokoviq dhe afateve ligjore për të ngritur aktakuzën, nuk kanë pasur kohë të sigurojnë deklaratën e dëshmitarit T., në momentin kur është ngritur aktakuza dhe se deklarata i takon lëndës tjetër prej të cilës Gjokoviq është veçuar.

Po ashtu, Morina tha se në kohën kur është ngritur aktakuza, ka qenë e dorëzuar kërkesa në autoritetet zvicrane për sigurimin e kësaj deklarate.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Donikë Shala-Abdyli, për shkak të këtyre rrethanave vendosi seanca të shtyhet për një ditë tjetër.

Ndryshe, ky rast kryesohej nga gjykatësi Valon Kurtaj, mirëpo edhe ai ishte avancuar për në Gjykatën e Apelit në muajin nëntor, për çka lënda kishte kaluar për kryesim tek gjykatësja Donikë Shala-Abdyli.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan  për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq  ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale./BetimipërDrejtësi/

Advertisement
Advertisement
Advertisement