Deda thotë se Thaçi dhe Vuçiq nuk do të jenë të kënaqur me vendimet e samitit të Berlinit


Gazeta Express
23 Prill 2019 23:45

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Ilir Deda ka folur në emisionin ‘DPT te Fidani’ në T7 rreth pritjeve nga samiti i Berlinit në të cilin Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi.

Ilir Deda thotë se në kryeqytetin gjerman do të flitet për vazhdim të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai është i bindur se atje nuk do të ketë vendim për ndryshim të kufijve të Kosovës.

“Atje do të diskutohet për ecjen më tutje të procesit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të shohim çka do të dalë në letër’.

Marrë parasysh që ‘Gjermania nuk pranon ndarjen e Kosovës’ deputeti pret që vendimet e atjeshme të mos pëlqehen nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

“Presidenti Vuçiq dhe Thaçi nuk do të jenë të kënaqur me vendimet në Berlin’, tha Deda.

Ai thotë se po ky samit do të sqarojë nëse në Kosovë do të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Do të sqarojë a do të ketë zgjedhje shpejt”, tha Deda.

Sipas tij, provokim për zgjedhje mund të ketë prej ‘atyre që e përkrahin ndarjen e vendit’.

“Ndoshta edhe mund të shkojmë në zgjedhje, nuk e di. Duhet të jemi të përgatitur edhe për rotacion”, shtoi Deda.

Takimi i organizuar në Berlin nga Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, në të cilin u ftuan të merrnin pjesë udhëheqësit e Ballkanit do të mbahet më 29 prill në Berlin.

Ndryshe nga vendet e tjera, Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen në këtë samit edhe me presidentët.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart