Deda: Ndarja e Kosovës s’ka vdekur si plan, por tash s’është më në tryezë


Gazeta Express
4 Prill 2019 23:46

Ilir Deda, deputet i Alternativës, ka thënë se procesi i dialogut është duke shkuar drejt një ristartimi nga vendet e perëndimit.

Sipas tij, është duke u bërë një konsultim mes perëndimorëve sepse kanë kuptuar se ndryshimi i kufijve s’mund të ndodhë.

Në Interaktiv të KTV-së, Deda ka thënë se ndarja e Kosovës s’ka vdekur si plan, por tash s’është më në tryezë.

“Është duke ndodh një konsultim i vendeve të perëndimit, një ristart i këtij procesi me aq sa kam informata dhe do të vazhdojnë pas një kohe lajmet apo mesazhet që jemi mësuar. Tash po ndodh një konsultim mes tyre për shkak të kuptimit në Perëndim se ndryshimi i kufijve të Kosovës s’mund të ndodhë për shkak të refuzimit politik e shoqëror që po ndodh në Kosovë. S’ka vdekur ndarja e Kosovës si plan, por s’është më në tryezë. Më duket që ka marrë pak kohë për konsultimet e tyre dhe vazhdim të procesit. Kam pas takime dhe kjo pjesë është temë e takimeve që kemi, por jo aq mediatike sepse ka edhe një diskutim si të vazhdohet përpara”, ka thënë ai.

Sipas Dedës, duhet të ketë kyçje të diplomatëve evropianë me kredibilitet që t’i jepet kahe dialogut.

“Mendoj se Kosova duhet të kërkojë kyçje të diplomatëve kredibilië seriozë evropianë në këtë proces që t’i japin kredibilitet. Ata duhet të njohin rajonin dhe e kuptojnë se marrëveshja paqësore mes dy shteteve s’mund të jetë diçka e pazbatueshme apo që na fut në krizë më të madhe. Edhe BE-ja duhet të japë një lloj oferte për ne dhe Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar Deda.

Ai ka thënë tutje se stagnimi i dialogut mund të jetë paralajmërim për zgjedhje të reja, ndërsa ka shtuar se perëndimi insiston që procesi të përfundojë sivjet.

Duke folur për Ligjin e Dialogut dhe Ekipin negociator, Deda ka thënë se e mira e ligjit është se është hequr udhëheqja nga presidenti Hashim Thaçi. Sipas Dedës, perëndimorët e kanë kuptuar që Thaçi s’ka përkrahje në Kosovë me idenë për kufijtë. Këtë e ka quajtur fitore të Kosovës. Ai ka thënë se Thaçi është diskredituar dhe ka pësuar fiasko politike sepse “ka gënjyer në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

“Rregulla e parë në marrëdhënie ndërkombëtare është të mos gënjesh sepse duhet të kesh kredibilitet. Foret e Kosovës s’mundesh t’i bartësh jashtë Kosovës. Atje s’hanë bari, ndoshta te ne hanë dhe mendojnë se me atë lloj mentaliteti me ec përpara, por në marrëdhëniet ndërkombëtare s’mundesh. Takimet jo të këndshme me përfaqësuesit perëndimorë ishin kuptimi i një të vërtete, dhe mua më ka jep satisfaksion të madh. Për një moment diçka hoqëm më në fund”, ka thënë më tej ai.

Ai ka kritikuar partitë e opozitës që s’kanë pranuar të marrin pjesë në Ekipin negociator.

Te fundit


Kthehu lart