Debati për reformën në drejtësi, Meta i përgjigjet Ramës e Sorecës: Nuk ndaloj askënd që të këndojë “na fitorja në fitore”


Gazeta Express
23 Maj 2019 12:27

Ilir Meta i është përgjigjur ironisë së kryeministrit dhe reagimit të ambasadorit të BE-së për deklaratat e tij të djeshme mbi reformën në drejtësi dhe vonesat e shumta që kanë futur në kolaps thuajse gjysmën e sistemit gjyqësor në vend.

Dje Meta deklaroi se reforma në drejtësi do të quhej e sukseshme sikur Gjykata Kushtetuese të ishte funksionale, kurse kryeministri si kundërpërgjigje i tha se më mirë një djep bosh sesa i mbushur me djaj.

Në emër të Metës ka folur zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi, i cili shprehet se Kreu i Shtetit i ka bërë të gjitha përpjekjet për zbatimin kushtetues të reformës dhe do të vijojë të bëjë përpjekjet e tij për ndalimin e kapjes së sistemit. Por nga ana tjetër, shprehet zëdhënësi i Metës, Presidenti nuk ndalon askënd të “këndojë na fitorja në fitore”… si në variantin solo ashtu edhe në kor.

Përgjigja e plotë:

“Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi i pyetur nga mediat për një reagim lidhur me qëndrimet e shprehur dje nga ambasadori i BE dhe kryeministri Rama për reformën në drejtësi sqaron se:

Kam vetëm një qëndrim për të dy.
Presidenti i Republikës, jo vetëm i ka bërë të gjitha përpjekjet e mundshme deri tani, në mënyrë transparente e sistematike, të dokumentuar dhe informale, konstruktive e gjithëpërfshirëse, por edhe do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, për të evituar vonesat, kolapsin, zbatimin e njëanshëm e përçarës dhe kapjen e sistemit.
Presidenti nuk do të lodhet edhe në të ardhmen, si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, të punojë në këtë frymë. Ndërkohë Presidenti nuk ndalon askënd, të këndojë “na fitorja në fitorje”, si në variantin solo, ashtu edhe në kor”.

Kujtojmë se ditën e djeshme Meta ka bërë deklarata të forta duke thënë se reforma në drejtësi do të quhej e suksesshme nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale. Më tutje Meta pati dhe kritia për misionin Euralius, duke thënë se ajo u përdor politikisht, një akuzë indirekte të cilës i është përgjigjur po dje ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca. Ky i fundit i sugjeronte Metës që reforma në drejtësi duhet parë si një proces që duhet të bashkojë politikanët dhe jo t’i ndajë ata, teksa për Euralius ambasadori vlerësoi punën e këtij institucioni për kontributin në reformë./Express

Te fundit


Kthehu lart