David Sasolli për vizitë zyrtare në Shkup


Gazeta Express
4 Nëntor 2019 8:59

Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasolli, sot do të qëndrojë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila është vizita e parë e tij zyrtare jashtë Bashkimit Evropian.

Sasolli fillimisht do të takohet me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, pastaj me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, si dhe me kryeministrin Zoran Zaev. Po ashtu, ai do të ketë takim edhe me kryetarët e partive politike. Njëkohësisht, pritet të mbajë fjalimin edhe në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të kësaj vizite, Sasolli do të bëjë hapjen e Jurop Haus (Europe House), në hapësirat e Delegacionit të Bashkimit Evropian, dhe do t’i bashkëngjitet debatit të ambasadorit Samuell Zhbogar dhe nxënësve nga shkollat e mesme me temë “Vizioni i të rinjve për BE”.

Nga Delegacioni i BE-së, informojnë se ish-Info Qendra e BE-së, është shndërruar në Jurop Haus, e cila do të funksionojë si Qendër për të rinj dhe do të ofroj përmbajtje të cilët janë bashkëkohor, tërheqëse dhe inovative për të rinjtë. Jurop Haus do të funksionojë si platformë e cila do të jetë e hapur për të gjithë të rinjtë, nga të gjitha sferat e jetës, me qëllim të lidhjes me personat dhe mundësitë tjera, si dhe të shkëmbejnë ide për zhvillimin e potencialit. Në debatin me kryetarin e Parlamentit të Evropës, Sasolli do të marrin pjesë nxënës nga Berova, Qendra Zhupa, Demir Hisari, Kavadari, Koçani, Shkupi, Struga, Strumica, Tetova, Valandova dhe Vinica. 

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart