“Dardanet” sonte e kërkojnë mrekullinë ndaj Holandës - Gazeta Express
string(50) "dardanet-sonte-e-kerkojne-mrekulline-ndaj-holandes"

“Dardanet” sonte e kërkojnë mrekullinë ndaj Holandës

Gazeta Express

27/10/2020 14:39

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave është e gatshme për ndeshjen kundër Holandës, e cila do të zhvillohet sonte duke filluar nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2022.

Lexo Edhe:

Holandezet janë kampione evropiane dhe nënkampione botërore, derisa tashmë e kanë siguruar pjesëmarrjen në Evropian, ku në 8 ndeshje në Grupin A kanë arritur po aq fitore.

Për këtë, në takimin e sontëm ato janë favorite absolute.

Megjithatë, futbollistet dardane pas barazimit si mysafire kundër Turqisë (0:0) synojnë që të kenë paraqitje sa më të mirë në duelin e sontëm, edhe pse janë të vetëdijshme për nivelin e lartë të kundërshtareve.

Në konferencën për media përzgjedhësja Afërdita Fazlija, kapitenia Edona Kryeziu dhe portierja Florentina Kolgeci kanë folur rreth kësaj përballjeje, duke e vlerësuar Holandën për kualitetin që ka, por me shpresë se do të arrijnë të shkaktojnë befasi duke nxjerrë rezultat pozitiv.

“Në përgjithësi situata dhe atmosfera në ekip është e mirë. Megjithatë, kemi disa telashe shkaku i formacionit pasi për këtë ndeshje mungojnë tetë lojtare që kanë qenë bartëse kryesore të 11-shes së parë. Gjashtë lojtare kanë munguar edhe në ndeshjen ndaj Turqisë. Realisht Holanda është një ndër kombëtaret që vitet e fundit ka pasur një rritje të madhe dhe është kampion evropian dhe nënkampion bote, andaj do të jetë tejet e vështirë për ne”, ka thënë Fazlija.

Kapitenia Edona Kryeziu ka thënë se pa marrë parasysh kundërshtarin punojnë me përkushtim çdo herë për paraqitje sa më të mirë.

“Edhe lojën me Estoninë kemi qenë kryesisht me lojtare nga kampionati vendor, por kemi treguar se mund t’ia dalim. Kësaj radhe kundërshtari është shumë i fortë, por duhet të mundohemi të nxjerrim më të mirën e mundshme”, është shprehur Kryeziu.

Ndërkohë, edhe portierja Florentina Kolgeci, e cila ishte njëra ndër më të merituarat për barazimin e para pak ditëve në Turqi ka thënë se në këtë ndeshje nuk hyjnë të dorëzuara.

“Si ekip nuk i frikësohemi askujt. E dimë që jemi kombëtare e re por do të mundohemi t’i bëjmë ballë çdo kundërshtari. Holanda ka ekip shumë të fortë, por asnjëherë nuk hyjmë në fushë të dorëzuara”, ka thënë Kolgeci. /Gazeta Express/