Danimarkës i lëndohet golashënuesi, mungon në ndeshje me Kosovën


Gazeta Express
19 Mars 2019 13:40

Sulmuesi Robert Skov nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së enjtes ndaj Kosovës. Vendin e tij do ta zë Jacob Bruun Larsen

Danimarka do të jetë e hendikepuar për ndeshjen me Kosovën, shkruan Gazeta Express.

Sipas mediave daneze, sulmuesi Robert Skov është lënduar fundjavën që shkoi dhe nuk do të mund ta ndihmojë ekipin danez në duelin miqësor me “Dardanët” të enjten.

Me këtë rast, golashënuesi më i mirë i kampionatit danez është zëvendësuar me yllin e ri të Borussia Dortmundit, Jacob Bruun Larsen, i cili po ashtu do të debutojë tek Përfaqësuesja e Danimarkës.

“Është ëndërr e një futbollisti të ri të jetë pjesë e Kombëtares A, por jam ekstremisht i dëshpëruar”, ka thënë Skov.

Ndërkohë, Larsen ndihet keq për atë që i ka ndodhur Skovit, por ndërkohë ndihet mjaft i lumtur që iu dha rasti të ftohet tek Kombëtarja e Danimarkës.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe do të fillojë në orën 19:00.

Kjo do të jetë një ndeshje testuese për të dyja ekipet, të cilat pas disa ditësh do ta nisin kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Kosova do të luajë me Bullgarinë më 25 mars, kurse Danimarka me Zvicrën e shqiptarëve më 26 mars. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart