Danimarka e bën më të vështirë realizimin e divorcit


Gazeta Express
22 Korrik 2019 8:17

Me një nga shkallët më të larta të divorceve në Evropën Perëndimore, Danimarka po dëshiron ta bëjë më të vështirë këtë proces në mënyrë që të sigurohet se kur një gjë e tillë të ndodhë, ndarja të jetë më pak e dhimbshme për të gjithë personat e përfshirë në të.

Deri më tash, danezët kanë mundur të divorcohen vetëm përmes plotësimit të një aplikacioni të thjeshtë në internet. Por sipas një pakoje ligjesh të futura në fuqi në muajin prill, çiftet që duan të ndahen duhet të presin tre muaj dhe duhet t’u nënshtrohen këshillimeve para se martesa e tyre të marrë fund.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga gazeta daneze “Politiken”, 68 nga 98 rajonet e Danimarkës ofrojnë terapi për përmirësim të marrëdhënieve bashkëshortore për çiftet që kanë vështirësi. Kjo bëhet me qëllim të kursimit të të hollave për strehim dhe shërbime të ndryshme sociale.

Kjo iniciativë, e cila në disa shtete mund të shihet si ndërhyrje në jetën private të qytetarëve, është pritur shumë mirë nga publiku dhe politikanët në Danimarkë. Ajo është kritikuar vetëm nga partia e vogël “Aleanca Liberale”, e cila ka thënë se ky veprim është tejkalim i autoritetit.

Danimarka i ka përkrahur për një kohë të gjatë të drejtat familjare, duke ofruar pushim njëvjeçar për ata që sapo janë bërë prindër dhe përkujdesje publike, por vetëm në vitin 2018 u regjistruan 15 mijë divorce, gati sa gjysma e numrit të martesave, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart