Daniel Craig dhe Chris Evans në filmin “Knives Out”


Gazeta Express
6 Korrik 2019 0:44

Të gjithë e duan misterin e mirë: dikush vritet, të dyshuarit mbështeten për muri nga detektivi gjenial, ndërsa rrjeti zvogëlohet derisa të arrihet drejtësia.

Dhe derisa klasikët e Agatha Christie dhe të të tjerëve ofrojnë frymëzim për përshtatje filmike, regjisori Rian Johnson doli me misterin e vet për vrasje.

Filmi “Knives Out”, filmi i tij i parë që nga “Star Wars: The Last Jedi”, është prezantuar tani me trilerin e parë.

Johnson për filmin e tij të ri e mblodhi një ekip yjesh: Chris Evans nga Captain America dhe Daniel Craig nga James Bond e kryesojnë ekipin e aktorëve në të cilin janë edhe Toni Colette, Michael Shannon, Jamie Lee Curtis, LaKeith Stanfield dhe shumë të tjerë, shkruan Koha.

Viktimën e vrasjes e luan Christopher Plummer, ai është patriark i familjes Thrombey, autor i romaneve kriminale, i cili vritet në ditëlindjen e tij të 85-të. Në tregim pastaj hyn detektivi ekscentrik i Craig, Benoit Blanc, i cili dëshiron ta zbulojë misterin.

Evans shfaqet në një rol krejtësisht të ndryshëm nga ai i Captain America, djaloshi i mirë nga lagjja të cilin jemi mësuar ta shohim është zëvendësuar me personazhin e paskrupullt, i cili të dyshuarve të tjerë u thotë “të shkojnë në djall”.

Trileri i parë duket kaotik dhe argëtues, pikërisht ashtu siç duhet të duket një mister kriminalistiko-humoristik. Se a do të jetë filmi po aq argëtues sa edhe trileri, këtë do ta kuptojmë më 29 nëntor, kur filmi të mbërrijë në kinema.

Te fundit


Kthehu lart