Dalin në shitje biletat për ndeshjen Kosovë – Çeki


Gazeta Express
19 Gusht 2019 10:59

Bileta për ndeshjen e Kosovës kundër Republikës së Çekisë në Grupin A kualifikues për Kampionatin Evropian do të dalin në shitje sot pasdite, njofton Federata e Futbollit e Kosovës.

Kosova e pret Çekinë në stadiumin Fadil Vokrri më 7 shtator, në një ndeshje të xhiros së katërt në Grupi A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.

Tri ditë më vonë, Kombëtarja dardane do të udhëtojë drejt Southamptonit për t’u përballur me liderin e Grupit, Anglinë.

FFK-ja njofton se biletat do të dalin në shitje sot pasdite dhe ato mund t’i blini në platformën online www.tiks.app.

Kosova, e cila është në fushatën e saj debutuese në kualifikime për Kampionat Evropian, do të përballet me Republikën e Çekisë për herë të parë në histori.

Çekia, aktualisht e dyta në grup me 6 pikë, është kundërshtare e drejtpërdrejt e Kombëtares verdhekaltër, e cila mbledh 5 pikë në vendin e tretë, në luftë për vendin e dytë në përpjekje për t’u kualifikuar në EURO 2020.  

Trajneri Bernard Challandes përsëri do të përballet me kokëçarje, pasi lojtari më në formë i kombëtares, Milot Rashica, pësoi një dëmtim më kofshe në një ndeshje me Werder Bremenin në Bundesligë këtë fundjavë dhe pritet të mungojë gjatë. Arbër Zeneli dhe Hekuran Kryeziu mbesin jashtë edhe për ketë ndeshje, sepse janë duke u rikuperuar nga lëndimet e rënda.

Megjithatë, trajnerin zviceran e gëzon fakti se do të mundë të llogarisë në mesfushorët e kthyer nga lëndimet, Valon Berishën dhe Herolind Shalën. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart