DailyMail: Ajeti do të konfirmohet në West Ham së shpejti


Gazeta Express
7 Gusht 2019 11:43

Sulmuesi i Baselit me prejardhje kosovare, Albian Ajeti, mund ta vazhdojë karrierën e tij në Premierligë, pasi që për të është interesuar West Hami. Këtë interesim e ka konfirmuar gazetari i DailyMail, Dominic King.

Paraqitjet mbresëlënëse me Baselin gjatë sezonit të kaluar i kanë sjellë lajme të mira Ajetit. Për të kanë shprehur interesim disa klube gjatë këtij afati kalimtar, përfshirë këtu edhe West Ham United, transmeton Gazeta Express.

“Një tjetër prurje së shpejti në West Ham: Albian Ajeti, sulmues i Baselit, pritet ta kompletojë transferimin e tij gjatë 24 deri në 36 orët e ardhshme”, shkruan gazetari Dominic King në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

Shuma për të cilën pritet të transferohet Ajeti është 7 ose 8 milionë funte, apo 7.5 deri në 8.6 milionë euro. Ai shihet si opsion i dytë fillimisht, mirëpo mund t’u bëjë konkurrencë edhe lojtarëve të rregullt në formacionin e parë.

Ajeti e ka nisur edhe sezonin e ri, 2019/20, në formë të mirë. Ai, me Baselin, deri më tani i ka zhvilluar tri ndeshje, në të cilat ka kontribuar me dy gola dhe dy asiste. Dy nga  këto ndeshje ishin në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve, ndërsa njëra në kuadër të Super Ligës zvicerane.

Transfermarkt e vlerëson Ajetin me 7 milionë euro dhe vlera e tij vetëm ka vazhduar të rritet që kur u transferua nga St. Gallen në Basel, në tetor të vitit 2017, për 1.5 milionë euro.

Gjatë sezonit të kaluar, Ajeti i bëri gjithsej 43 paraqitje me Baselin në të gjitha garat, në të cilat kontribuoi me 21 gola dhe 11 asiste. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart