Coutinho flet si futbollist i Bayernit, tregon objektivat e mëdhenj me klubin e ri


Gazeta Express
19 Gusht 2019 12:43

Ylli brazilian është larguar nga Barcelona dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Bundesliga

Bayern Munich e ka transferuar mesfushorin ofanziv Philippe Coutinho nga Barcelona për një sezon, me mundësi blerjeje përfundimtare pas një viti, shkruan Gazeta Express.

Gjiganti bavarez do t’ia paguajë atij katalunas 8,5 milionë euro për brazilianin, të cilin e mori në formë huazimi, ndërsa mund ta blejë atë pas një viti për 120 milionë euro.

Gjithashtu, Bayerni do t’ia paguajë Coutinhos rrogën në periudhën sa ai do të luajë në “Allianz Arena”.

“Për mua, ky ndryshim do të thotë një sfidë e re në një vend të ri, në njërin prej klubeve më të mëdha në Evropë”, ka thënë fillimisht Coutinho.

“Mezi pres ta nis këtë eksperiencë. Kam objektiva të mëdhenj, njëjtë si Bayerni dhe jam i sigurt se këtë do ta bëj me shokët e rinj të skuadrës”, ka përfunduar ish-futbollisti i Interit, Espanyolit e Liverpoolit.

Edhe pse i realizoi 21 gola në 76 paraqitje për gjigantin spanjoll, Coutinho nuk i ka arsyetuar pritjet për të në Camp Nou, ku ishte transferuar në janar të viti 2018 nga Liverpooli.

Coutinhon gjatë kësaj vere e kanë kërkuar edhe Paris Saint-Germaini dhe Tottenhami. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart