“Coutinho do të përballet me më shumë presion në Liverpool”


Gazeta Express
19 Korrik 2019 10:45

Legjenda braziliane e futbollit, Rivaldo, e ka paralajmëruar Philippe Coutinhon se ai mund të përballet edhe me më shumë presion nëse vendos të kthehet në Liverpool nga Barcelona.

Mesfushori 27-vjeçar është përfolur për një kthim të mundshëm në “Anfield”, pas 18 muajve në “Camp Nou”, ku, përkundër çmimit të lartë të transferimit, nuk ka arritur ta dëshmojë veten në fushën e lojës, transmeton Gazeta Express.

Transferimi në La Liga nuk i shkoi sipas planeve, pasi që Coutinho u përball atje me shumë kritika për formën e tij dhe për kontributet e tij të pakta në sukseset e katalonasve.

Atij mund t’i ofrohet kthimi në Angli gjatë këtij afati kalimtar të verës, veçanërisht pasi që Barcelona tashmë e ka konfirmuar transferimin e Antoine Griezmannit dhe po vazhdon ta kërkojë edhe Neymarin.

Megjithatë, Rivaldo nuk është i bindur që Coutinho duhet të ndryshojë ambient, pasi që ai beson se kthimi në “Anfield” do të shtonte edhe më shumë presion mbi shpatullar e bashkëkombësit të tij.

“Ne të gjithë e dimë se Philippe Coutinho e luajti futbollin e tij më të mirë sa ishte në Liverpoolit dhe unë gjithmonë kam besuar se ai mund t’i përsërisë ato paraqitje edhe në Barcelonë, por gjërat nuk kanë shkuar ashtu”, ka thënë Rivaldo në një intervistë për Betfair.

“Mundësia e kthimit në Liverpoolit mund të jetë e mirë për të, por unë nuk jam i sigurt se ai është duke e menduar kthimin e mundshëm në Angli. Ai mund të qëndrojë në Barcelonë për të tentuar ta ngre nivelin e lojës së tij dhe për ta dëshmuar veten”.

“Ai është duke u kthyer nga triumfi në turneun e Kupës së Amerikës dhe vetëbesimi i tij është i lartë, kështu që është e vështirë të thuash nëse ai do të qëndrojë apo do të shkojë”.

“Unë me të vërtetë i vlerësoj cilësitë e tij si futbollist dhe mendoj se ai ka kohë për ta dhënë më të mirën e tij në “Camp Nou” këtë sezon. Le të presim dhe do ta shohim”.

“Nëse ai vendos t’i bashkohet Liverpoolit, ata do të bëhen më të fuqishëm. Por, ata janë kampionë të Evropës dhe kjo do të shtonte edhe më shumë presion mbi të pasi që është e vështirë ta fitosh atë trofe dy vjet radhazi. Do të ishte një sfidë e madhe edhe për të, edhe për klubin”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart