“Çkuptim ka jeta pa provokimin e femrës?! Por, shala lakuriq nuk është ftesë” - Gazeta Express
string(72) "ckuptim-ka-jeta-pa-provokimin-e-femres-por-shala-lakuriq-nuk-eshte-ftese"

“Çkuptim ka jeta pa provokimin e femrës?! Por, shala lakuriq nuk është ftesë”

Gazeta Express

07/06/2020 11:59

Një analizë e shkrimtares Rita Petro, në një kohë kur në Shqipëri janë bërë publike një sërë rastesh të abuzimit apo përdhunimit të femrave të mitura.

SHALA LAKURIQ NUK ËSHTË FTESË PËR PËRDHUNIM, POR PËR MIRËBESIM

Lexo Edhe:

Pse jemi kaq arrogantë ndaj provokimit?! Kur, në të vërtetë, nuk ka asgjë tjetër që na bën të kthejmë kokën edhe një herë për ta vëzhguar?! Vështrojini të gjitha tablotë apo pikturat e famshme të grave. Ato janë provokuese me sytë, me veshjet, me pjesët lakuriqe të trupit. Gjithë industria moderne e reklamës ka në qendër figurat provokuese të grave, madje dhe të meshkujve. Shihni këngëtaret e famshme, të cilat e dinë që nuk mjafton vetëm zëri, por dhe provokimi me trupin, gjoksin dhe vithet e tyre.
Jam dakord me faktin se provokimi mund të jetë fare i hapur apo i sofistifikuar; vulgar apo me finesë. Por në secilin rast ai sjell kënaqësi, joshje, në varësi të shijeve që ka secili prej nesh.
Kur provokohemi ndodh kimia brenda nesh, përjetojmë ndjesi që në situata të qeta, do të flinin brenda nesh. Po ç’kuptim ka jeta njerëzore pa këtë provokim?! Ç’kuptim do të kishte arti pa këtë provokim?! Edhe një protestë bëhet për të provokuar ndërgjegjësim, emancipim dhe arritje qëllimi nga protestuesit.
Retorika e parullave ka kohë që ka ndryshuar në botë, por tani edhe te ne, falë të rinjve. Sigurisht që sloganet, memet kërkojnë mendje inteligjente, me sa më pak fjalë duhet të thuash shumë dhe të provokosh shumë.
E njëjta gjë ndodhi dhe me ato që kishin shkruar vajzat në protestën e fundit, ku ndihej ndikimi nga lëvizjet feministe në botë. Ndonjeherë ajo që duket e drejtpërdrejtë është me nëntekst më të fortë, sesa një mendim i stërholluar. Po t’ua shihnim vajzave të huaja ato shkrime, nuk do të reagonim në atë mënyrë, siç bëmë me vajzat tona. Le të mësojmë t’i lexojmë nëntekstet, kuptimet e fshehura. Përdorimi i zhargonit, që duket si ftesë vulgare e vajzave, është pikërisht kjo që e çon femrën në skajin e kundërt, që t’i flasë një mashkulli vulgar me gjuhën e tij. “Kështu sillesh, kështu po të ftoj. Më përdhuno! Por kur dua unë…dhe kur dua unë, nuk është përdhunim. Nëse “të ngrefet” apo provokohesh nga secila shalë që sheh ky është problemi yt, jo imi, ndaj larg duart nga unë!
Pse në vendet e emancipuara është ndryshe raporti mashkull-femër? Vajza, edhe sikur të shkojë për vizitë në shtëpinë e një djali i cili i ka propozuar, nuk është e detyruar të flejë me të. Derën do ta gjejë përherë të hapur dhe madje me mirësjellje. Ka plot meshkuj në vendet si yni me mentalitet patriarkal, ku mashkulli ngaqë do të ndihej i fyer prej kompleksit se tani kjo po më zhburrëron, do t’ia mbyllte derën me kyç dhe do ta detyronte me forcë vajzën të kryente marrëdhënie seksuale me të. Edhe opinioni ynë “i moralshëm” do ta drejtonte gishtin nga vajza. “Ajo shkoi vetë. Ai mirë ia bëri”… e kështu me radhë në çdo situatë tjetër: “S’kish turp, grua me fëmijë dhe shkoi me dashnorin… mirë ia bëri burri që e rrahu apo e vrau”. Dhe viktimat e këtij opinioni nuk janë vetëm femrat, por dhe meshkujt.
Është ky opinion që ushqen dhunën maskiliste dhe ky opinion nuk vjen vetëm nga burra por dhe nga gra, jo vetëm nga turma poshtë, por dhe nga ata lart, dhe tragjedia ndodh pastaj kur hyjnë në lojë ata që e kanë për detyrë të mbrojnë si rojat e shkollave, mësuesit, policët, shefat, e deri lart e më lart ku vetëm propagandohet, por nuk merren masa në mbështetje ekonomike të grave e vajzave pa mbështetje apo përmes qendrave të këshillimeve sociale për vajzat e djemtë, për prindër apo burra e gra në udhëkryq.

I kuptoj të gjitha argumentet e sjella nga shumë reagues ndaj disa sloganeve të protestës nga vajzat pjesëmarrëse, por ja që duhet të mësohemi me këndvështrime të tjera. “Kush do të arrijë qëllimet duhet të zgjojë kureshtjen” – motoja e demonstrimeve të sotme.

Moralizimeve dhe kthimit te parullat enveriste: të mbrojmë jetën e vajzave, motrave e grave tona; të djegim e të varim cilindo që vë dorë mbi to etj etj… u ka ikur me kohë koha. Ka dhe shumë mënyra të tjera më pak demagogjike, por më shumë efikase me provokimin e tyre.

…Se asnjë shalë femre lakuriq nuk çedukon më fort vajzat dhe djemtë, sesa urrejtja që vjellim ndaj tyre nëpër dritare.