Çka tha mbrojtja e të dyshuarit për 2 milionët e zhdukur në Thesarin e Kosovës - Gazeta Express
string(78) "cka-tha-mbrojtja-e-te-dyshuarit-per-2-milionet-e-zhdukur-ne-thesarin-e-kosoves"

Çka tha mbrojtja e të dyshuarit për 2 milionët e zhdukur në Thesarin e Kosovës

Gazeta Express

22/10/2020 12:59

Veton Rrecaj, avokati i punëtorit të Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G., që dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk, ka thënë se të enjten është mbajtur seanca dëgjimore për klientin e tij me kërkesë të masës së paraburgimit.

Rrecaj ka thënë se vendimi për masën e paraburgimit ndaj klientit të tij do të merret në orën 13:00.

Lexo Edhe:

Ai ka thënë se klienti i tij dyshohet se ka kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

“Prokuroria paraqiti arsyet apo thënë më mirë tendencën e saj për caktimin e masës së paraburgimit, mirëpo nuk na paraqiti asnjë provë konkrete relevante, e cila do ta mbështeste një pretendim të tillë, mirëpo kërkesa ishte tërësisht e përgjithësuar, e supozuar dhe në asnjë rast nuk pati mundësi ta argumentojë të njëjtën”, ka thënë Rrecaj para gazetarëve.

Ai ka thënë se deklaratat e ministres së Financave, Hykmete Bajrami, për këtë rast janë në kundërthënie me pretendimet për rastin.

“I mbrojturi im dyshohet në këtë fazë për një transaksion mbi 2 milionë euro nga vendi i tij i punës, e që nuk është e saktë, nuk është absolutisht e bazuar, përkundrazi, ju siguroj, ju si media e dini, e keni parë dje ministren, zonjën Bajrami, e cila ka deklaruar se mjetet, të cilat pretendon Prokuroria që janë keqpërdorur janë të sigurta. Atëherë lind pyetja, si mund të jetë një mjet apo një send i sigurt nëse është vjedhur?”, ka thënë mes tjerash ai.

Ai i ka bërë thirrje ministres Bajrami që të japë sqarime nëse të hollat e zhdukura janë të sigurta.

Një ditë më parë, përmes një konference të jashtëzakonshme për media edhe ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se kanë ndodhur katër transaksione të paligjshme në vlerë prej më shumë se 2.1 milionë eurosh, në një llogari të një operatori privat.

Për këtë rast, Bajrami tha se janë suspenduar dy zyrtarë, njëri prej tyre është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Sipas saj, rastin në organet e rendit e ka denoncuar Ministria e Financave.

“Ky është një transaksion bankar dhe kemi gjurmuar të gjitha transaksionet që janë bërë si rezultat i këtij transaksioni. Organet e rendit janë duke u marrë, për të parë se kush janë përfituesit fundorë”, ka deklaruar ajo.

Institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Republikës së Kosovës, tha ndër të tjera Bajrami.

Ministrja e ka cilësuar këtë rast si “të izoluar”.

“Ajo që dua t’ju siguroj është se ky është një rast i izoluar më te cilin po merret intensivisht edhe Ministria e Financave dhe organet e rendit. Mjetet e tyre dhe buxheti i Kosovës është i sigurt. Nuk është tërheqje e mjeteve kesh, por përmes llogarisë sepse mjetet e buxhetit të Republikës së Kosovës janë në Bankën Qendrore të Kosovës dhe janë të sigurta”, ka thënë ajo para mediave.