“Cilin plan e pranoi” - Hoxhaj, Haziri e Lekaj flasin për Express pasi Kurti i tha “po” Lajçakut - Gazeta Express
string(95) "cilin-plan-e-pranoi-kurti-hoxhaj-haziri-e-lekaj-flasin-per-express-pasi-kurti-i-tha-po-lajcakut"

“Cilin plan e pranoi” – Hoxhaj, Haziri e Lekaj flasin për Express pasi Kurti i tha “po” Lajçakut

Lajme

Gazeta Express

07/02/2023 17:43

Pas takimeve të shpeshtuara në zyrat vendimmarrëse të Kosovës, emisari i BE-së Miroslav Lajçak mori një përgjigje pozitive nga kryeministri Albin Kurti për planin europian për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi dje gjatë një dreke në një ambient më relaksues në Prishtinë. 

Alma Baxhaku

Lexo Edhe:

“E pranojmë propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, shkroi Kurti në Twitter, duke publikuar fotografi nga dreka e punës që pati me Lajçakun dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi. Përgjigjja pozitive ndaj planit të BE-së u pasua nga pranimi i kushtëzuar i Asociacionit nga ana e Kurtit javën që shkoi.

Të dy këta hapa të ndërmarrë çuan në kritika nga opozita për lëshim pe të qëndrimeve të forta që kishte Kurti prej opozitari në temën e marrëveshjes me Serbinë – Kurti pranoi planin europian që s’e përmban njohjen reciproke.

Me këtë të fundit asnjëra nga tri partitë opozitare nuk po pajtohet, duke adresuar kritika të ashpra ndaj Kurtit për ndërrim të fjalëve dhe për jotransparencë.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë për Gazetën Express se pa njohje mes Kosovës e Serbisë nuk ka normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe për rrjedhojë as anëtarësim në OKB. Hoxhaj shton se qytetarët e vendit dhe as Kuvendi nuk e dinë as se cilës marrëveshje i kanë thënë po.

“Asnjëherë nuk ka qenë dialogu si proces më i mbyllur dhe më jotransparent me Serbinë, sikurse është tani, ku as qytetarët, as opozita dhe as opinioni publik nuk e dinë se kujt Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij po i thonë PO në një restorant pa e ditur askush në Kuvend të Kosovës se çfarë përmbajnë këto plane dhe çfarë po pranojnë e cili është rezultati i përfundimtar. Pa njohje të ndërsjellë nuk ka normalizim dhe pa njohje të ndërsjellë nuk ka përmbyllje të shtetësisë e as anëtarësim në OKB”.

Derisa, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se kryeministri Kurti po ndjek një politikë të stilit “një hap para, dy prapa”, por se kjo praktikë atë s’e befason.

“Po, kemi dëgjuar për pranim me gjashtë kushte. Kishte edhe platformë me 6 pika më herët. Po befasohen ata që nuk po e shohin politikën e “një hapi para e dy prapa”. Ky ishte hapi para dje nga z.Kurti dhe presim”, tha ai për Gazetën Express.

Gjithashtu, Haziri thotë se qëndrimi i LDK-së dhe konsensusi i saj për dialogun është që marrëveshja përfundimtare të ketë njohjen në qendër dhe që Qeveria të jetë e koordinuar me aleatë.

“Në vlerësimin tonë, të anëtarësisë sonë, Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë që nuk e përmban njohjen. Vendit tonë i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve – si shtete të pavarura e sovrane. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është papërgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale. Në këtë proces, koordinimi i ngushtë me aleatë mbetet jetik për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë”.

Partia e Ramush Haradinajt këmbëngul që në marrëveshjen përfundimtare duhet të jetë edhe nënshkrimi amerikan si garanci që i duhet një dokumenti të tillë.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, në një përgjigje për Gazetën Express, tha se s’janë pro një marrëveshje që s’ka njohje dhe që ka një Asociacion me kompetenca ekzekutive.

“Ne mbështesim çfarëdo plani që zgjidh çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë dhe e cila ka njohjen në qendër. Jo marrëveshje që cenon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës apo asociacion që bie ndesh me Kushtetutën dhe ka kompetenca ekzekutive. Do të ishte mirë që në këtë marrëveshje të jetë edhe nënshkrimi amerikan. Kjo është garancia që i duhet marrëveshjes”, tha ai.

Lekaj ‘identifikoi” edhe një sjellje të re të Kurtit në pozitë, por për të cilën thotë se më s’është edhe aq lajm.

“Kemi ndryshime rrënjësore të qëndrimeve të Kurtit ndaj temave madhore të cilat historikisht i ka kundërshtuar. Me ardhjen në pushtet tanimë ndryshimi i qëndrimeve të tij nuk përbën lajm, është bërë sjellje e zakonshme e tij”.

Nga ana tjetër, emisari Lajçak pasi përfundoi edhe takimin me palën serbe në Beograd, tregoi entuziazmin për lëvizjet e fundit të Kurtit.

“Jam i kënaqur që Kosova tashmë ka pranuar gjithashtu planin e BE-së në parim”, tha Lajçak, duke paralajmëruar se diskutimet e reja do të zhvillohen në takime të nivelit të lartë.

Kumtin e Lajçakut e shpërndau edhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili tha se shteti i tij e mirëpret vendimin e Kosovës për të pranuar planin e BE-së në parim dhe se do të vazhdojnë të ndihmojnë dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, paralajmëroi Hovenier.