Cilat kompani po përfitojnë nga militarizimi i kufijve të Evropës


Gazeta Express
12 Nëntor 2019 11:42

Tridhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, militarizimi i kufijve të Evropës po sjell fitime të mëdha për kompanitë e mëdha që po ndërtojnë rrethoja e pengesa të reja në pjesë të ndryshme të kontinentit.

Sipas një raporti të ri, tri kompani të armëve – Thales, Airbus dhe Leonardo – bashkë me kompani të tjera të sigurimeve, ndërtimtarisë dhe teknologjisë, janë përfitueset kryesore të valës së ndërtimit të mureve nga paniku i krijuar nga imigrantët.

Shtetet e Bashkimit Evropian i kanë ndërtuar rreth një mijë kilometra mure dhe rrethoja kufitare që nga bashkimi i Gjermanisë Lindore me Gjermaninë Perëndimore në vitin 1990. Rritje e madhe në këtë aspekt është shënuar në vitin 2015, kur imigrimi u bë pjesë e agjendave politike.

Hulumtuesit thonë se kompanitë Airbus, Leonardo dhe Thales, bashkë me Organizatën Evropiane për Siguri, i kanë mbajtur 226 takime me Komisionin Evropian nga viti 2014 deri në vitin 2019, ndërsa vetëm në vitin 2017 i kanë shpenzuar 2.65 milionë euro për lobim.

Të marra së bashku, rrethojat kufitare që janë ndërtuar deri më tash janë të barabarta me gjatësinë e gjashtë Mureve të Berlinit.

Në bazë të raportit të hartuar nga Instituti Transnacional, Fushata Kundër Tregtisë së Armëve dhe qendra Delas, së paku 900 milionë euro janë shpenzuar në ndërtimin e mureve dhe rrethojave nga viti 2006 deri në vitin 2017.

Përpos kësaj shume, shtetet i kanë shpenzuar 676 milionë euro në operacionet detare kundër imigrantëve, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart