Cila është strategjia sekrete për rrëzimin e Qeverisë


Gazeta Express
23 Maj 2019 8:13

Drejtuesit e dy partive më të mëdha opozitare kanë filluar t’i koordinojnë veprimet për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, mirëpo nuk po e zbulojnë strategjinë se si do t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme në Kuvend.

Krerët e dy partive më të mëdha opozitare, kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe i pari i LVV-së Albin Kurti, kanë zhvilluar një takim gjatë ditës së djeshme, me qëllim të koordinimit të veprimeve për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Pas këtij takimi ata kanë bërë të ditur se kanë diskutuar për organizimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj. Megjithëkëtë, asnjëri nga ta nuk ka treguar se cila do të jetë strategjia e cila do të përdoret për të ardhur deri te sigurimi i votave, pasi opozita aktualisht nuk i ka numrat e nevojshëm për t’i dhënë fund Qeverisë dhe për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Lideri i LDK-së, Isa Musatafa, ka njoftuar tashmë se shumë shpejt do të takohet edhe me kryetarin e PSD-së Shpend Ahmetin. Por zyrtarë të LDK-së kanë pohuar për gazetën “Zëri” se ky subjekt nuk ka vendosur ende ndonjë agjendë se si do të veprojë tutje, përpos që të fillojë me këto takime.

Përkundrazi, sipas tyre tek pas takimeve në fjalë do të analizohen veprimet dhe hapat e mëtutjeshëm. Ndonëse LDK-ja po e cilëson si një iniciativë tejet serioze për ta larguar qeverinë e tanishme, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës këtë nismë po e konsiderojnë si aspak të tillë. Së këndejmi, ata shprehen të bindur se gjatë 2019-s nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Te fundit


Kthehu lart