“Chelsea po luan me taktika të basketbollit”


Gazeta Express
20 Gusht 2019 13:49

Stili dhe organizimi i Chelseat nën drejtimin e trajnerit Frank Lampard është krahasuar me taktikat e basketbollit nga ish-mbrojtësi i Liverpoolit e tani analisti, Jamie Carragher.

Të kaltrit e Londrës e kanë shfrytëzuar çdo mundësi për të shkuar përpara në sulm nën trajnerin e ri, mirëpo kjo ka bërë që ata të lënë hapësira bosh në fazën e mbrojtjes. Sipas Jamie Carragher, ky fakt duhet ta shqetësojë Lampardin, transmeton Gazeta Express.

Pasi pësoi disfatë me rezultat 4:0 kundër Manchester Unitedit në ditën hapëse, klubi londinez u ndal me barazim 1:1 në shtëpi kundër Leicester Cityt të dielën, duke bërë që legjenda e Chelseat, Lampardi, të jetë ende në kërkim të fitores së parë si trajner.

Dhe përderisa Carragher beson se Lampardi e ka idenë e duhur, ai beson se lojtarët e tij po tregohen naivë dhe ata duhet ta përdorin më shumë logjikën kur të jenë duke sulmuar.

“Është sikur të jesh duke e shikuar ndeshjen e basketbollit. Ideja e Frankut është e qëlluar, kjo është mënyra me të cilën dëshirojnë të luajnë klubet dhe trajnerët më të mëdhenj”, ka thënë Carragher.

“Njerëzit thonë se ata po tregohen naivë dhe se po kapen keq me kundërsulme, ata nuk kanë asnjë goll organizimi kur e kanë posedimin e topit”.

“Franku dëshiron që mbrojtësit e tij anësorë të shkojnë përpara në sulm. Cesar Azpilicueta ka mjaftueshëm përvojë për ta ditur se nuk ka nevojë të shkojë në sulm çdo herë. Ata po bëhen viktima të kundërsulmeve vazhdimisht, po lënë hapësira sepse s’janë të organizuar në sulm”.

“Nuk mendoj se ata duhet ta marrin si ligj çdo gjë e thotë trajneri. Përdoreni trurin! Ishte shumë e lehtë për të sulmuar për Leicesterin, kjo është arsyeja pse ishte si ndeshje e basketbollit. Ata duhet ta kishin humbur atë ndeshje në të vërtetë”.

Chelsea do të tentojë ta sigurojë fitoren e parë të këtij sezoni kur të udhëtojë në Norwich City, të shtunën. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart