Challandes flet për shfaqjen e politikanëve në stërvitjet e Kosovës dhe premtimin e premive


Gazeta Express
20 Mars 2019 22:31

Bernard Challandes ka thënë se nuk i ka penguar prezenca e politikanëve në stadium gjatë përgatitjeve të ekipit kombëtar të Kosovës për ndeshjet e marsit, duke theksuar se është i lumtur që Kombëtarja po përkrahet nga i gjithë vendi.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, e vizitoi të hënën ekipin kombëtar të Kosovës gjatë një seance stërvitore menjëherë pas grumbullimit, duke u premtuar verdhekaltërve premi prej 1 milionë euro nëse ia dalin të kualifikohen në Kampionatin Evropian 2020, raporton Gazeta Express.

Trajneri zviceran i “Dardanëve”, Bernard Challandes u pyet të mërkurën në një konferencë për media para ndeshjes miqësore të Kosovës ndaj Danimarkës, nëse i ka penguar shfaqja e Veselit në fushë dhe premtimi i tij.

Challandes tha se derisa nuk flet për politikën dhe paratë, është i lumtur që ekipi kombëtar është duke u përkrahur nga të gjithë.

“Nuk flas për paratë apo politikën. Më duhet të them jemi këtu në Kosovë, një vend i ri, dhjetë vjet nuk janë shumë në historinë e një vendi dhe jam shumë i lumtur me përkrahjen e tërë vendit, që nënkupton me të politikës dhe njerëzit. Mendoj se ekipi kombëtar është i rëndësishëm në vend. Mendoj se t’i japim pak kohë politikës dhe sponsoreve është normale. Nuk mund të kërkojmë, kërkojmë e kërkojmë dhe mos të japim”, tha Challandes.

Kosova e pret Danimarkën të enjten në “Fadil Vokrri” në kryeqytet, në një ndeshje miqësore në prag të fushatës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020, që e nis të hënën kundër Bullgarisë. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart