Çfarë vlere ka një e vërtetë kur e thotë Thaçi


Arben Idrizi
2 Maj 2019 16:47

BE, po deshët, edhe mund të jetë raciste. Por, unë nuk mund ta kem me BE-në, kur vrasësi i së ardhmes sime është i zgjedhuri im 

Në raste ekstreme, ka të vërteta që nuk thuhen, ndonjëherë edhe që nuk vlejnë për momentin dhe kontekstin; në raste të caktuara, ka të vërteta që zhvlerësohen nga ai që i thotë, për më keq, në dëm të vetë atyre që i kanë pësuar ato të vërteta dhe për të cilët bëhet se po i thotë.

Një të vërtetë të tillë të zhvlerësuar e tha edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dje, në konferencat e organizuara pas takimit të Berlinit. Ai, me pak fjalë, e akuzoi BE-në për racizëm dhe izolim të Kosovës, për faktin se nuk po e lejon liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.

E vërtetë se Kosova ka mbetur e izoluar.

Por, a është kjo e gjitha?

Do të matesha në përdorimin e termit racizëm, por besoj mund ta marrim të mirëqenë bindjen se BE po tregohet dorështrënguar, do të thotë e rezervuar, me kosovarët rreth liberalizimit të vizave (gjithnjë duke pasur parasysh se vendet e tjera kanë pasur lehtësime dhe privilegje që tani për tani po u mohohen kosovarëve).

Arsyetimi i mosliberalizimit është në radhë të parë korrupsioni dhe, besohet (madje mund të jetë më e rëndësishmja), frika se qytetarët kosovarë do ta braktisin vendin, duke u bërë kështu barrë për vendet që do të detyroheshin t’i pranonin. Jo vetëm për mbajtjen e tyre, por edhe për shkak se, paragjykim ose jo, mund të jenë burim i frikshëm i krimit.

Do të iknin njëmend?

Po, sigurisht. Sipas të gjitha pritjeve, do të ketë ikje të pafundme. Me ose pa viza. Do të iknin, ngase të zgjedhurit e tyre kanë bërë gjithçka ashtu që mjerimi i vendit të arrijë pothuajse kulmin. Ngase kanë bërë që korrupsioni, papërgjegjësia,  papunësia të krijojnë një klimë të tillë qytetare ku askush më nuk sheh as fijen e vetme të shpresës në këtë vend. Kanë ikur, po ikin dhe do të ikin për një të ardhme, për një jetë më të mirë, të cilën nuk mund t’ua ofrojnë hipokritët, banditët dhe plaçkitësit e llojit të Thaçit, Haradinajt a Mustafës.

Ndoshta edhe po na e bëjnë një të mirë momentalisht, po bëjnë që të mos zbrazet Kosova brenda natës. Një gjë për të cilën duhej të kujdeseshin ata që në fund dolën të jenë hipokritët, banditët, plaçkitësit e vendit.

Pra, në fund, BE, po deshët, edhe mund të jetë raciste. Por, unë nuk mund ta kem me BE-në, kur vrasësi i së ardhmes sime është i zgjedhuri im. Nuk mund t’i turrem me fyerja e sharje (me maskën e matrapazit në fytyrë) një organizmi, kur organizmi që varej prej meje ka shkaktuar një kaos dhe mjerim nga i cili s’ka shpëtim.

Si përfundim, Thaçi dhe soji i tij politik, nuk mund ta thonë atë të vërtetë që po na sjell dhimbje e zhgënjim. Sepse, nuk bëjnë asgjë më shumë se sa ta zhvlerësojnë, ta bëjnë të pafuqishme, të parëndësishme. E ky është krimi i dytë, pas atij të parit, kur bënë gjithçka që ishte e mundur që qytetarët të mos shihnin ditë të bardhë në këtë vend.

Te fundit


Kthehu lart