Çfarë u diskutua sonte në Pressing: Gashi kërkon rezistencë ndaj Asociacionit, Gorani e Peci sugjerojnë qasje pragmatike - Gazeta Express
string(118) "cfare-u-diskutua-sonte-ne-pressing-gashi-kerkon-rezistence-ndaj-asociacionit-gorani-e-peci-sugjerojne-qasje-pragmatike"

Lajme

Gazeta Express

30/01/2023 23:44

Çfarë u diskutua sonte në Pressing: Gashi kërkon rezistencë ndaj Asociacionit, Gorani e Peci sugjerojnë qasje pragmatike

Lajme

Gazeta Express

30/01/2023 23:44

Çështja e Asociacionit të komumave me shumicë serbe është rikthyer sërish si temë qendrore në Prishtinë, por edhe në Beograd. Në rrjedhojë të kësaj, më 31 janar Ambasada Amerikane në Kosovë do të organizojë një takim me përfaqësues të institucioneve, opozitës dhe eksponentëve të tjerë të rëndësishëm në shoqëri – temë diskutimi, Asociacioni.

Për këtë çështje, të hënën në Pressing të T7 është diskutuar për këtë temë ku të ftuar ishin: Lulzim Peci, kryetar i Institutit KIPRED, gazetari, Dukagjin Gorani, aktivisti, Shkëlzen Gashi, si dhe juristi, Bardhyl Hasanpapaj.

Lexo Edhe:

Gjatë emisionit Peci theksoi se janë dy marrëveshje për Asociacionin, ajo e vitit 2013 dhe 2015. Ka thënë se asnjëra prej tyre nuk është shfuqizuar – rrjedhimisht mbesin në fuqi.

“Është detyrim ligjor implementimi i Asociacionit”, ka thënë ndër tjerash Peci.

Në këtë linjë, Dukagjin Gorani ishte i mendimit se Qeveria e Albin Kurtit nuk e ka kundërshtuar kategorikisht Asociacionin, duke e marrë për bazë argumentin e Lulzim Pecit se “marrëveshjet nuk po shfuqizohen”.

“Në takimin e 31 janarit që organizohet nga Ambasada Amerikane do të marrin pjesë edhe përfaqësues të zyrës së kryeministrit, presidencës dhe kryeparlamentarit”, ka thënë Gorani, teksa e shtoi argumentin se “Qeveria nuk po e kundërshto Asociacionin aq sa po interpretohet në opinion”.

E juristi Bardhyl Hasanpapaj, duke iu referuar të drejtës ndërkombëtare ka thënë se Asociaiconi është i pashmangshëm, mendje thotë se edhe shfuqizimi i marrëveshjeve s’është i mundur – pos nëse nënshkruhet marrëveshje e re në mes palëve.

“Nëse ka mbështetje kaq të madhe ndërkombëtare për Asociacionin atëherë serbët mund ta formojnë një Asociacion duke e pasur mbështetjen e ndërkombëtare pastaj çështje shkon në Gjykatën Kushtetuese dhe kushtetuesja thotë se nuk ka shkelje. Çka me bë më pas”, ka thënë ai teksa përmendi një situatë hipotetike.

Me krejt këto nuk u pajtua aktivisti, Shkëlzen Gashi i cili shprehet se themelimin i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i papranueshëm.

Fillimisht Gashi e sqaroi se nuk është kundër komunitetit serb në Kosovë.

“Unë vazhdimisht kam shkruar për çështje humanitare, Asociacioni është ndikim i Beogradit në Kosovë dhe jo për mbrojtjen e të drejtave të serbëve”, ka thënë Gashi.

Kritika e Gashit për mënyrën sesi trajtohet këtë temë është se sipas tij “asociaiconi s’është kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, por i Beogradit”.

“Bashkësia ndërkombëtare vjen në Prishtinë me kërkesat e Beogradit, ndërkaq shkojnë në Beograd me kërkesat e Prishtinës sepse ata janë ndërmjetësues”, ka thënë Gashi teksa shpjego se pse po ndryshojnë draftet e planit franko-gjerman.

Plani franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbinë është cilësuar si bazë e mirë nga kryeministri, Albin Kurti. Por Peci thotë se fakti se Asociaiconi është larguar nga paketa e përgjithshme për arritjen e marrëveshjes përfundimtare është edhe gabim i Kurtit.

“Mos pranimi i kërkesës perëndimore për shtyrjen e vendimit për targa nga Kurti e ka shkaktuar këtë situatë”, ka thënë Peci.

Por këtë qasje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kundërshtoi Shkëlzen Gashi duke iu referuar refuzimit të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova i cili në vitin 1993 kishte refuzuar kërkesën amerikane për të hyrë në zgjedhjet e brendshme të Serbisë.

“Shkruani në nenin e parë të Kushtetutës së Kosovës ‘çka të thotë Amerika’ edhe mos aktroni”, tha Gashi, teksa shtoi se amerikanët mbrojnë interesat e tyre duke i hedhur poshtë aludimet se “Escobar dhe Chollet i shërbejnë Beogradit”.

Por si kundërpërgjigje Peci shtoi se nuk mund ta paramendojë se çfarë mund të ndodh nëse Kosova shpallet fajtore për ngecjen e procesit të dialogut.

“Nëse ne shpallemi fajtor dhe Serbia nuk shpallet fajtor për çështjen e Kosovës, unë mendoj që Kosova do ta humb de facto aleancën me shtetet që na kanë bërë shtet”, ka deklaruar Peci.

Gjatë diskutimit janë përmendur edhe idetë e kaluara për zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Gazetari Gorani tha se korrigjimi i kufijve ka qenë një mundësi për njerëzit që nuk duan të jetojnë me mentalitetin e këtij shekulli. Sipas tij ajo mundësi ka ikur.

“Meqë kemi njerëz që nuk duan të jetojnë në shekullin 21 atëherë më mirë do të ishte të kishte zgjidhje të shekullit 19 e që janë më efektive”, thotë Gorani referuar korrigjimit të kufijve.

Sipas Goranit vullneti i një komuniteti nuk mund të kufizohet brenda një letre, teksa shton se Kosova ka marrë obligim ta themelojë    Asociacionin.

“Perëndimi na ndjen si shetet dhe pret t’i kryejmë detyrat si serb. Ne po mendojmë që Veriu është problem ndërkombëtar, problemi është i joni”, ka thënë Gorani.

Ndërkaq Gashi përmendi mundësinë e themelimit të Asociacionit vetëm nëse Serbia e pranon Kosovën, si dhe marrim njohje nga pesë vendet e Bashkimit Evropian dhe mundësohet anëtarësimi në OKB.

“Me kusht që komuniteti shqiptar të ketë veto në Asociacion” shton Gashi.

Ai është i bindur se Kurti nuk e pranon Asociaiconin, por thotë se Lëvizja Vetëvendosje edhe si opozitë nuk do ta lejonte këtë.

“Kurti as nuk jep dorëheqje. Një çerek-shekulli ka karrierë politike mbi këto kauza”, thotë Gashi teksa shton se nuk përjashtohet mundësia që Kurti të rrëzohet nga deputetët e pakënaqur potencialisht në grupin parlamentar të VV-së. Por ai thotë se rezultati i zgjedhjeve më pas do të ishte më i lartë se 50 për qind.

Marrëveshjet për Asociacionin ishin nënshkruar në vitin 2013 dhe 2015 dhe më pas kishin pasuar protesta të dhunshme në rrugë të organizuara nga opozitari i atëhershëm Albin Kurti, tash kryeministër i Kosovës.

Më pas Gjykata Kushtetuese dha verdiktin e saj se marrëveshje është në kundërshtim me një mori nenesh të Kushtetutës së Kosovës.

Por juristi Bardhyl Hasanpapaj tha se “kushtetuesja kurrë nuk ka thënë se nuk duhet të themelohet Asociacioni”.

Për këtë temë diskutohet tash e më shumë se një dekadë  dhe me gjasë do të vazhdojë. /Express