Çfarë u bëri Messi lojtarëve të Man Unitedit herën e fundit që luajti me ta në Old Trafford


Gazeta Express
10 Prill 2019 10:08

Manchester Unitedi do të përballet me Barcelonën sonte në orën 21:00, në ndeshjen e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve këtë sezon.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer arriti deri në këtë fazë të Ligës së Kampionëve falë fitores dramatike në ndeshjen kthyese kundër Paris Saint-Germainit. Golin kualifikues për në çerekfinale e shënoi Marcus Rashfordi në minutat e fundit të lojës nga pika e penalltisë, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, Manchester Unitedi do ta ketë më të vështirë ta përsërisë këtë sukses ndaj Barcelonës, që nuk ka humbur ndeshje të Ligës së Kampionëve në shtëpi që nga viti 2013 dhe që e ka Lionel Messin në skuadër.

Hera e fundit që Barcelona luajti kundër Manchester Unitedit në Old Trafford, Messi, atëherë ende shumë i ri e pa asnjë Top të Artë, i la të shtangur lojtarët legjendarë të “Djajve të kuq”, duke ia dëshmuar botës çfarë mund të bëjë.

Megjithatë, ajo paraqitje e Messit është lënë në harresë nga shumë tifozë pasi që Barcelona nuk arriti të kualifikohet në finale. Golin e vetëm në këtë përballje e shënoi Paul Scholes dhe Manchester Unitedi shkoi në finale, në të cilën triumfoi po ashtu, kundër Chelseat.

Megjithatë, një tifoz i yllit argjentinas e ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’ua rikujtuar të gjithëve se çfarë paraqitje mbresëlënëse kishte bërë atë ditë Messi, përkundër që në fund nuk kishte arritur të kualifikohet në finale.

Disa vite më vonë, legjenda e Manchester Unitedit, Paul Scholes, e kishte përshkruar se si ishte të luaje kundër Messit në atë ditë historike në “Old Trafford”.

“Nuk më vjen turp ta pranoj që në ndeshjet kundër Barcelonës kaloja kohë duke shpresuar se ai nuk do të më afrohej. “I pakapshëm” është fjala që më vjen në mendje kur mendoj për stilin e lojës të Messit”, ishte shprehur Scholes.

“Ti mendon se e ki nën kontroll dhe pastaj, sa hap e mbyll sytë, ai është zhdukur dhe rishfaqet diku tjetër me topin në këmbë. Edhe kur tenton të përballesh me të dhe t’i bësh ndërhyrje, ai mbetet me topin në këmbë”.

Messi e kishte humbur atë ndeshje kundër Manchester Unitedit, mirëpo kishte triumfuar në dy finale të tjera në Ligën e Kampionëve, në vitin 2009 dhe vitin 2011. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart