Gjermania dhe Britania e Madhe nënshkruan një Traktat Miqësie. Ai parashikon më shumë tregti, më shumë shkëmbime – dhe mbi të gjitha, më shumë siguri. Ballkani përmendet gjithashtu në Marrëveshje.
Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer nënshkruan të ashtuquajturën Marrëveshje Miqësie: 27 faqe që jo vetëm duhet të konfirmojnë, por edhe të zgjerojnë partneritetin gjermano-britanik.
Qëllimi i marrëveshjes është që Gjermaina dhe Britania e Madhe “të motivohen nga dëshira për të bashkuar forcat me qëllim sigurimin e një të ardhmeje të karakterizuar nga prosperiteti, siguria dhe qëndrueshmëria për qytetarët e tyre, si dhe shoqëritë e tyre të hapura dhe demokratike në kontekstin e ndryshimeve themelore në mjedisin gjeopolitik”.
Pas Brexit-it, Gjermania dhe Britania e Madhe duan të bashkëpunojnë përsëri më ngushtë. Çfarë parashikon e ashtuquajtura marrëveshje miqësie dhe cilat fusha mbulon ajo?
Ja një përmbledhje e pikave kryesore:
Siguria
Gjermania dhe Britania e Madhe konfirmojnë bashkëpunimin e ngushtë në këtë fushë. Po negociohet edhe një klauzolë mbi ndihmën e ndërsjellë, e cila duhet të plotësojë Nenin 5 të Traktatit të NATO-s në mënyrë bilaterale.
Aty thuhet: “Të vetëdijshëm për koincidencën e ngushtë të interesave të tyre themelore dhe me bindjen se nuk ka asnjë kërcënim strategjik për njërën palë që nuk është edhe një kërcënim strategjik për tjetrën, palët kontraktuese si aleatë të ngushtë konfirmojnë angazhimin e tyre të thellë për mbrojtje të ndërsjellë dhe i ofrojnë njëra-tjetrës ndihmë në rast të një sulmi të armatosur ndaj palës tjetër kontraktuese, përfshirë edhe me mjete ushtarake.”
Kjo duhet të zbatohet edhe për fusha të reja si siguria kibernetike.
Armët
Për shembull, është rënë dakord për zhvillimin e një rakete me një rreze veprimi prej më shumë se 2,000 kilometrash. Gjermania dhe Britania e Madhe e njoftuan tashmë këtë qëllim në mesin e majit. Një sistem i tillë armësh nuk ekziston ende në prodhimin evropian.
Një bashkëpunim më i ngushtë është planifikuar gjithashtu në zhvillimin e sistemeve ajrore pa pilot, projekte të tilla si automjeti i transportit të blinduar “Boxer”, në krahun lindor të NATO-s dhe në fushën e sigurisë nënujore në Detin e Veriut. Bashkëpunimi në eksportet e armëve duhet të zgjerohet.
Eksporti i pajisjeve ushtarake të prodhuara bashkërisht duhet të lehtësohet. Deri më tani, Gjermania shpesh ka bllokuar projekte të tilla për shkak të rregullave shumë të rrepta. Britanikët shpresojnë që ndryshimi i drejtimit do të sjellë eksporte shtesë me vlerë miliarda./DW/