Çfarë satire: Thaçi thotë se ideja e ndarjes ia pamundëson Radojçiqit ta marrë Trepçën dhe Veriun


Gazeta Express
13 Maj 2019 19:31

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar të hënën se ideja e ndarjes së Kosovës ia pamundëson nënkryetarit të Listës Srpska, njëherësh i përfolur si udhëheqës i nëntokës në Mitrovicën e Veriut, Milan Radojçiq, që ta marrë Trepçën dhe veriun e Kosovës.

Këtë vlerësim, Thaçi e ka bërë në një shkrim të publikuar në llogarinë e tij zyrtare, në rrjetin social Facebook, në internet.

“E drejta e përfshirjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës është legjitime, korrigjim i padrejtësive historike dhe siguri për qytetarët e asaj treve për të jetuar në trojet e tyre”, nis shkrimi i Thaçit.

“Kjo përpjekje ka ndalur së realizuari angazhimet e sofistikuara që veriu i Kosovës t’i dorëzohet Milan Radojçiqit, fillimisht pasuria e Trepçës, për të vazhduar me transformimin e pasurive shtetërore në ato komunale (katër komunat e veriut) dhe, po ashtu, ka parandaluar planet për sovranitet të dyfishtë dhe asociacion me mandat ekzekutiv, modeli i Republikës Serbe, pra autonomi rajonale”, është shprehur presidenti i vendit.

“Vazhdoj të besoj fuqishëm se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës dhe për arritjen e këtij qëllimi ne duhet të jemi të bashkuar. Humbja eventuale e kësaj mundësie, do të jetë gabim historik i pariparueshëm!”, ka deklaruar Thaçi në përfundim të shkrimit.

Te fundit


Kthehu lart