Çfarë po ndodh me rrugën Deçan – Plavë që kundërshtohej nga Manastiri i Deçanit


Gazeta Express
6 Qershor 2019 14:57

Përparim Leka

Projekti i rrugës Deçan – Plavë kishte shkaktuar shumë polemika. Manastiri i Deçanit kishte kërkuar të ndaloheshin punimet në këtë rrugë. Kjo kishte bërë që edhe misionet e Bashkimit Evropian në Kosovë të reagojnë duke dalë në krahë të klerikëve ortodoksë. Ambasadori i atëhershëm i SHBA-së Greg Delawie po ashtu kishte mbajtur qëndrim që të ndalen punimet në atë rrugë.

Por sidoqoftë reagime ka pasur edhe nga liderët e Kosovës. Pal Lekaj kishte deklaruar se traseja e rrugës nuk cenon asnjë interes të Manastirit dhe kishte kërkuar nga të gjithë ambasadorët e vendeve të Kuintit që të inspektojnë punimet dhe të binden për këtë. Ndërsa deputeti në parlamentin e Kosovës nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, kishte kërkuar nga Manastiri që të mos bëhej pengesë e këtij projekti që bashkon shtetet, si dhe kishte kujtuar kohën e luftës kur shqiptarët kishin mbrojtur Manastirin. 

Gazeta Express ka biseduar me zyrtarë të MTI-së për atë se çfarë është duke ndodhur aktualisht me rrugën që e lidhë Kosovën me Malin e Zi.

Punimet në këtë rrugë, që lidh Kosovën me Malin e zi dhe shkurton bindshëm kohën e udhëtimit mes rajonit të Rrafshit të Dukagjinit me Plavën dhe Gucinë, po vazhdojnë.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express këshilltari i Lartë dhe njëherësh shefi i Kabinetit të Ministrisë për Infrastrukturë, Argjend Zejnaj.

“Sa i përket rrugës Deçan – kufiri me Malin e Zi, është në fazën e asfaltimit të një pjese dhe pjesa tjetër është përfunduar projekti dhe po ashtu është në fazën e shprehjes për interes. Kjo rrugë shumë e rëndësishme për zhvillimin e blegtorisë dhe turizmit në ketë pjesë të Deçanit nuk do të ndalet nuk bënë të ndalet por duhet  të vazhdoj deri në përfundimin e tërësishëm të saj”, tha Zejnaj për Gazetën Express.

Tutje ai shtoi se të gjitha sektorët qeveritarë duhet të përpiqen që të i shfrytëzojnë në maksimum potencialet blegtorale dhe turistike të qytetit të Deçanit.

Ndërsa sa i përket pengesave që ishin vënë nga Manastiri i Deçanit, Zejnaj u shpreh kështu:

“Për pjesën e kontestuar për të cilën po nxjerr pengesa Manastiri i Deçanit, për mendimin tonë, të panevojshme, do të presim që të arrihet një dakordancë, sepse ajo rrugë do t’i shërbej edhe vet këtij institucioni religjioz”

Zejnaj tregoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit po bënë punën e saj në rehabilitimin e thuajse të gjitha rrugëve nacionale dhe regjionale në Republikën e Kosovës. /Express/

Te fundit


Kthehu lart