Çfarë nuk tha Edi Rama


Ermal Mulosmani
13 Qershor 2019 14:41

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama, mbajti një fjalim mjaft të ashpër kundrejt Presidentit të Republikës, Z. Ilir Meta.

Thelbi i fjalimit të tij, duke e thjeshtuar nga retorikat shpjeguese, figuracioni i dendur, ironitë fyese etj, ishte “Kushtetuta, Bibla prej të cilës  Ai nuk lëviz”.

Zoti Kryeministër numëroi mjaft arsye e përfitime që do kishte ai personalisht nga ky Dekret i Zotit President. Ndërmjet të cilave Ai theksoi :

 “Me këtë budallallëk të kthyer në precedent, na jepet edhe ne mundësia që, nesër (në të ardhmen) të themi “Nuk duam zgjedhje vendore, madje as zgjedhje të përgjithshme sepse “ashtu e kemi një punë”, sepse kemi informacione të sigurta, nga burime që si themi dot për një sulm bërthamor ndaj Shqipërisë. Përderisa zgjedhjet mund të mos bëhen kur nuk do një palë, ato mund të mos bëhen kurrë. Mirëpo shtetet demokratike kanë Ligje dhe Kushtetuta, nuk funksionojnë përveçse me parimin e barazisë së të gjithëve përpara Ligjit. Sot hidhet përpjetë një grup e nesër një tjetër duke e kthyer Shqipërinë skenën ku e ardhmja luhet si tek “Kumarxhiu” i Dostojevskit”.

Më pas, Zoti Kryeministër, sqaroi që krahasimi i shumë njerëzve, i situatës së sotme me vitin e mbrapshtë ’97 është krejt i pavend dhe përmendi skemat piramidale dhe hapjen e depove të armëve si premista kryesore të 97’ës.

Këtu harroi të përmendte zgjedhjet e famshme të Majit ’96 (sistemin e referimit të atyre që bëjnë paralelizmin).

Ne jemi thjesht Viktima e kundërshtarit tonë” – vazhdoi Kryeministri. Këtu u preka edhe unë pak, më erdhi pak gjynah.

Por Kryeministri e vazhdoi fjalimin duke i rënë në kokë problemit.

“Qëllimi i tyre është që të vrasin zgjedhjet. Ata  kanë frikë jo vetëm nga Zgjedhjet, por, në radhë  të parë nga Reforma në Drejtësi. Ne jemi të detyruar të marrim përsipër këtë kosto të krijuar prej tyre, për të mos lejuar që kostoja ti kalojë Shqipërisë së  kushedi sa viteve të ardhshme. Zgjedhjet e 30 Qershorit  pa ata janë e keqja më e vogël për Shqipërinë ndërsa shtyrja e datës së Zgjedhjeve për shkak se ata nuk janë në Zgjedhje, do të ishte një e keqe e madhe me efekt të zgjatur  mbi Shqipërinë. Sepse në emër të shmangies së një palë zgjedhjeve, me këtë problem të pashmangshëm, ne do të ligjëronim faktin se kushedi për sa vite, zgjedhjet të mos ishin  e drejta e popullit për të zgjedhur dhe detyrimi i Partive për tu nënshtruar gjykimit të popullit por e drejta e Partive për të vendosur kur bëhen zgjedhjet dhe detyrimi i popullit për t’iu nënshtruar tekave të Partive.

Më pas Kryeministri u kujtoi deputetëve të tij dhe gjithë shqiptarëve sesi ky është një fenomen i përsëritur.

“Në vitin 2017, kur Opozita kërkonte fiks të njëjtën gjë dhe miqtë ndërkombëtarë  “e mbyllnin një sy” dhe binin dakort me këkresën e tyre, ishte këmbëngulja ime që shtyrja e zgjdhjeve u bë brenda Kushtetutës! Imagjinoni sikur të kisha rënë dakort atëherë, shkelja nga përjashtim kthehej në rregull”.

Ky ishte thelbi prej dashnori të Kushtetutës i fjalimit të Zotit Kryeministër. Ishte një leksion demokracie që të emociononte dhe të bënte të shpresoje se ky vend e ka një politikan që do ta çojë Shqipërinë përpara, që ka një ëndërr demokratike dhe një aspiratë evropiane! Përveç figuracionit letrar, stilit unikal e batutave plot kripë.

Atëherë çfarë la pa thënë Zoti Kryeministër që i rrëzon përtokë gjithë atë superfjalim?

Zoti Kryeministër nuk e tha për asnjë moment se pse dreqin Opozita pretendon të mos marrë pjesë në zgjedhje. Ai foli për kriptoarsyet si humbjet e zgjedhjeve ose frikën nga Drejtësia.

Por nuk foli për asnjë çast për zgjedhjet e vjedhura të 2017-ës. 

Çfarë do të ndodhte në botën demokratike nëse do të kapeshin përgjime ku kriminelë flisnin me Politikanë si me anëtarë të bandës, që emëronin deputetët e tyre në Parlament dhe që terrorizonin votuesit e Partisë kundërshtare?

Në 47 minuta duhej të gjente dy minuta, të paktën, ku të thoshte çfarë do të bënte Ai vetë nëse do i kishte këto përgjime në favorin e vet.

Si mundet ajo të shërbejë si fasadë e pushtetit të tij?

Se po na duket sikur njerëzit janë budallenj dhe po na tërheqin për hunde për interesa partiake. Në fakt, përgjimet e nisura për narkotrafikantë, kanë kapur  bashkëpunimin e tyre me eksponentë të Partisë Socialiste për të shtrembëruar rezultatin zgjedhor.

Këtu e gjithë retorika e tij brilante, i gjithë leksioni për demokracinë bie kryekëput poshtë. Siç edhe me siguri Ai e di, demokracia është perceptim. Populli shqiptar, demokracia, nuk është Gjykatë që të presë derisa të jepet vendimi. Sot të gjithë shqiptarët, edhe përkrahësit më të flaktë të Kryeministrit, e pranojnë që rezultati i vitit 2017 është i shtrembëruar.

Dhe kjo nuk zhbëhet me asnjë fjalim, edhe sikur të ishe Churchill-i.

Te fundit


Kthehu lart