Çfarë ndodh tani pas ISIS-it, ja cilët janë 5 skenarët e mundshëm


load
Gazeta Express
12 Qershor 2019 12:46

ISIS mund të kenë pësuar rënie në nivelin organizativ, me të ashtuquajturin “Kalifat” të shpallur në vitin 2014, që është shpërbërë ne vetëm xhepa të vegjël territoresh të izoluara në Irak dhe Siri. Megjithatë, një fazë post-ISIS, mund të përbëjë ndoshta një kërcënim më të rrezikshëm terrorist, si në nivel rajonal ashtu edhe atë ndërkombëtar.

Ky vlerësim, nuk është një parashikim i përgjithshëm, por bazohet në shumë tregues, që tregojnë një rrezik të caktuar. Ndaj është thelbësore që palët e interesuara, të përgatiten mirë. Rënia momentale e ISIS, ngre shumë pikëpyetje të rëndësishme: a ka vdekur ideologjia e organizatës? Ku do të shkojnë mijëra luftëtarë arabë dhe jo-arabë? A do ta pranojë ISIS disfatën, apo do të kërkojë forma të reja të veprimit?

Nga rënia e ISIS, mund të lindin disa skenarë, asnjëri prej të cilit, nuk sinjalizon fundin e kërcënimit që paraqet Shteti Islamik. Në skenarin e parë, ISIS, shndërrohet nga një organizatë e centralizuar me udhëheqje dhe struktura, brenda një hapësire të caktuar tokësore (Irak dhe Siri), në një organizatë të decentralizuar me degë të ndryshme.

Për shembull, ISIS në Magrebin arab, një organizatë subsahariane, apo ISIS në Gadishullin Arabik. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi pas rënies së Al Kaidës në 2001 në Afganistan. Nga mbetjet e saj lindi Al Kaida në Gadishullin Arabik, Al Kaida në Mesopotami, dhe Al Kaida në gadishullin e Sinaot në Egjipt, duke paraqitur një sfidë të madhe për sigurinë dhe stabilitetin e këtyre zonave.

Skenari i dytë, është se elementet që luftojnë nën patronazhin e ISIS, transferohen tek Al Kaida. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në dritën e treguesve, se Al Kaida po rindërtohet nën drejtimin e djalit të themeluesit të dikurshëm, Hamza Bin Laden. ISIS u nda nga Al Kaida, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e krijimit të një kalifati islamik.

Al Kaida refuzoi të nxitojë që të shpallë Shtetin Islamik, duke e konsideruar atë diçka të parakohshme, ndërsa ISIS besonte se shteti duhet të shpallej brenda një hapësire të caktuar territoriale. Tani fundi i projektit të ISIS, i testuar praktikisht në terren, mund të nxisë shumë prej elementeve të mbetur t’i rikthehen ideologjisë së Al Kaidës, duke forcuar bazën e saj të mbështetësve, dhe aftësinë për të udhëhequr veprimtarinë terroriste, duke e kërcënuar më tej sigurinë dhe stabilitetin global.

Skenari i tretë, është që shpërbërja e ISIS do të çojë në një përshkallëzim domethënës të sulmeve terroriste individuale, nga ata që besojnë tek ideologjia e këtij grupi radikal. Këta elementë të qujtur ndryshe “ujqër të vetmuar”, që nuk janë të lidhur me një organizatë të centralizuar, paraqesin kërcënime të mëdha sigurie në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Pasi ata kanë mundësi të veprojnë në shoqëri brenda rajonit dhe më gjerë, pa u zbuluar edhe për shumë vite nga aparatet e sigurisë. Edhe pse autori i masakrës së fundit në Zelandën e Re nuk i përket ISIS, veprimet e tij zbulojnë rrezikun e pandarë të “ujqërve të vetmuar” në kontekstin e terrorizmit.

Në skenarin e katërt, ISIS modifikon metodat e tij, në Irak, Siri apo gjetkë. Luftëtarët e tij mund të fshihen në shpella dhe male, dhe të ndërmarrin sulme sporadike, sikurse ka ndodhur dikur me Al Kaidën dhe talebanët në Afganistan. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, duke marrë parasysh raportet se kreu i ISIS, Abu Bakr Al-Bagdadi, është ende gjallë.

Skenari i pestë, parashikon që udhëheqja e ISIS shkon në rajone të tjera, pas rënies së Kalifatit në Irak dhe Siri. Ka pasur njoftime, se pas goditjeve të mëdha që ka pësuar, grupi mund të rishfaqet në Azinë Qendrore apo Afganistan. Rënia e ISIS, paraqet një problem tjetër serioz, i cili u shfaq dikur edhe pas përfundimit të përvojës së xhihadit në Afganistan.

Në atë kohë, shumë vende në rajon dhe në mbarë botën, u përballën me rrezikun e “të rikthyerve nga Afganistani” – elementë që luftuan kundër ish-Bashkimit Sovjetik në Afganistan, nën flamurin e “xhihadit” gjatë viteve 1980, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga CIA amerikane, në formën e parave dhe të armëve.

Pas kthimit në vendet e tyre, ku përfshiheshin shumë vende arabe, disa prej tyre u angazhuan në akte terroriste, dhe u kthyen kundër Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit. Parashikimet janë, se ky skenar do të përsëritet me “të rikthyerit nga Siria dhe Iraku” – luftëtarë nga vendet e rajonit, dhe nga Perëndimi dhe Lindja, të cilët iu bashkuan para disa vitesh ISIS-it.

Fakti që ISIS ka rënë, nuk i ka zhdukur idetë dhe bindjet e tij nga mendja e pasuesve; dhe në vendet ku ata janë rikthyer, janë në fakt mina me sahat. Bazuar në këto konsiderata, janë të qarta 2 realitete. Së pari, mbetjet e organizatave terroriste, janë baza për rritjen e grupit tjetër terrorist, si Feniksi mitik që rilind nga hiri.

Së dyti, idetë – pavarësisht nëse janë të mira, të këqija, të drejta apo të gabuara – nuk vdesin, ato zhduken dhe pastaj ringjallen në një kohë apo vend tjetër. Rritja alarmante globale e fanatizmit dhe islamofobisë – e karakterizuar nga sulmi terrorist i tmerrshëm në dy xhami në Zelandën e Re, në marsin e këtij vitit – siguron pikërisht këtë mjedis, duke nxitur ekstremizmin dhe urrejtjen.

Organizatat terroriste “islamike”, e gjejnë justifikimin për të promovuar idetë e tyre, tek përhapja e një diskursi, bazuar në konceptin se një luftë kundër myslimanëve në arenën ndërkombëtare, kërkon kundërsulm. Kjo e mban gjallë ideologjinë e ISIS, Al Kaidës dhe organizatave të tjera ekstremiste dhe terroriste, dhe i ndihmon ata të tërheqin rreth vetes pasues./ Bota.al

Te fundit


Kthehu lart