Çfarë do të bëjë PS më 13 tetor, Rama i përgjigjet Metës: Një e dielë si gjithë të tjerat


Gazeta Express
17 Korrik 2019 13:57

Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së PS-së, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se tashmë ka nisur puna për ngritjen e një strategjie politike pas 30 qershorit, ku socialistët kanë marrë të gjitha bashkitë e vendit.

Rama i është përgjigjur këtë të mërkurë dhe propozimit dhe sfidës së Presidentit Meta, i cili tha se më 13 tetor, ai propozon të ketë dy palë zgjedhje, madje edhe një palë zgjedhje (sfida) për postin e Presidentit. Rama ka deklaruar se data 13 tetor, e dekretuar nga Meta si data e zgjedhjeve vendore, për kryeministrin është thjesht një ditë e dielë si gjithë të tjerat.

Rama: Kemi pas një diskutim të gjatë me pjesëmarrjen e të gjithëve, për të vijuar procesin e brendshëm sepse kemi mësuar që pas çdo procesi zgjedhor, pavarësisht fitores, është shumë e rëndësishme të kuptojmë se ku janë problemet që duhen trajtuar dhe të përpiqemi të lexojmë votën, të lexojmë pritshmërinë, të lexojmë atë që është baza besoj e formësimit të një qasje strategjike elektorale.

Diskutimi është lidhur sigurisht me ndërtimin e strategjisë, afatmesme dhe afatshkurtër. Konsideruar si afatmesëm, zgjedhjet e qershorit të 2021 dhe afatshkurtër të gjithë procesin e zgjedhjeve në PS.

Kemi bërë një diskutim lidhur me strategjinë, ne jemi një organizatë që funksionon në bazë strategjie. Pastaj hap pas hapi, vijnë dhe lëvizjet taktike. Kemi dakortësuar të gjithë që është shumë e rëndësishme të ngremë një nivel të ri dialogu me të gjithë, me qytetarët, me sipërmarrjen, me njerëzit e zakonshëm në çdo sektor, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive të tyre politike.

Dialogun me opozitën parlamentare dhe patjetër me opozitën jashtë parlamentare. Ne jemi absolutisht të disponueshëm për t’u ulur në tryezë me të fgjithë pa asnjë përjashtim e paragjykim dhe për të diskutuar për sfidat e vendit dhe patjetër për çka është e rëndësishme të adresohet në funksion të rregullave të lojës. Përsa i përket pastaj Kushtetutës, ligjshmërisë dhe mandatit tonë qeverisës, këto nuk janë çështje që ne i kemi për diskutim me asnjë tjetër.

-Më 13 tetor Meta kërkoi tre palë zgjedhje

Rama: Zgjedhjet janë bërë më 30 qershor, jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore. Ne e kemi sfidën me problemet e vendit dhe njerëzve, nuk e kemi sfidën me provblemet e brendshme të opozitës jashtëparlamentare dhe të Presidentit. 13 tetori për mua është njësoj si 12 tetori, si 6 nëntori, si të duash. Ndoshta i bie e dielë, por është një dielë si të gjitha ato që kemi përpara.

Te fundit


Kthehu lart