Çfarë dëmi ka bërë Flora Brovina me publikimin e fotografisë, sipas Jahjagës


Gazeta Express
16 Maj 2019 16:55

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka cilësuar si të gërditshëm veprimin e deputetes së PDK’së, Flora Brovina, e cila ka publikuar një fotografi ku shihen veprimet morbide të ushtarëve serbë mbi civilët e pafajshëm shqiptarë.

Jahjaga thotë se publikimi i asaj fotografie tashmë cenon privatësinë e viktimës dhe mund të dërgojë në zbulimin e identitetit të saj, e cila mund të jetë një dëshmitare potenciale për krimet e kryera serbe në Kosovë.

“Veprimi i deputetes është jonjerëzor, joetik e joligjor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre”, ka thënë Jahjaga.

Ndaj veprimit të deputetes Brovina kanë reaguar edhe KRCT, duke thënë se familjarët e viktimës së mbijetuar që shihet në fotografi janë të tmerruar, duke kërkuar kështu heqjen e fotografisë nga mediat.

I gjithë ky debat po bëhet derisa po zhvillohet një seancë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku pritet që të miratohet një propozim-rezolutë për themelimin e një Tribunali ku do të gjykohen krimet serbe të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart